Transmetuar më 26-11-2014, 08:38

Tiranë, 26 nëntor 2014, NOA.al- Fondi Monetar Ndërkombëtar konstaton se programi ekonomik i Shqipërisë po ecën sipas planit.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Ministria e Financave mbrëmjen e lënë pas, ku të pranishëm ishin Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe ai i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, deklaroi se shkalla e rritjes ekonomike parashikohet të jetë rreth 2 për qind këtë vit, e përforcuar nga rritja e fortë e eksporteve dhe e prodhimit të naftës, shlyerja e detyrimeve të prapambetura të shtetit në tregun e brendshëm dhe nga një rimëkëmbje modeste e kërkesës së brendshme.

Ai u shpreh se prodhimi vazhdon të jetë nën potencial dhe inflacioni pritet të mbetet i ulët.

Më tej Ilahi informoi se misioni i stafit të FMN-së mbështet punën e autoriteteve për reformat strukturore dhe politikat dhe konsideron se kjo punë përbën bazën e besueshme për rimëkëmbjen e rritjes ekonomike dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar.

Gjithashtu Ilahi deklaroi se Bordi Ekzekutiv i FMN-së pritet të diskutojë për shqyrtimin e dytë dhe të tretë të fondit në fund të muajit janar 2015, duke shtuar se aprovimi i shqyrtimeve do të mundësonte lëvrimin e rreth 53 milionë eurove në formë kredie. Kjo vjen pasi Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi në fund të muajit shkurt të këtij viti marrëveshjen 36-mujore prej rreth 330.9 milionë euro me Shqipërinë për të mbështetur programin e reformave të autoriteteve.

“Ecuria fiskale gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit 2014 ka qenë përgjithësisht në përputhje me objektivat e programit. Autoritetet vijojnë të mbeten të angazhuara për arritjen e objektivit të deficitit fiskal për vitin 2015, si edhe për t’i kufizuar shpenzimet brenda paketës së programuar. Pavarësisht shpenzimeve të konsiderueshme të lidhura me sektorin e energjisë elektrike, buxheti i vitit 2015 pritet të arrijë një zvogëlim të borxhit publik i shprehur si përqindje e PBB-së, për herë të parë që prej vitit 2010. Pritshmëritë për inflacionin duket se janë të mbështetura mirë dhe politika monetare duhet të vazhdojë të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike, në përputhje me mandatin e Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Rritja e kreditimit po rigjallërohet por vazhdon të mbetet e ulët, e prekur nga niveli i lartë i kredive problematike dhe dobësitë në fushën e ekzekutimit të kontratave”, u shpreh Ilahi.

Ai shtoi se nevojiten reforma urgjente në sektorin e energjisë elektrike, për t’i dhënë fund barrës fiskale të këtij sektori, ndërsa shtoi se autoritetet kanë filluar të bëjnë hapat e parë të rëndësishëm në zbatimin e planit të tyre për reformimin e sektorit të energjisë elektrike, i hartuar në konsultim me Bankën Botërore.

Sipas Ilahi, ky plan përfshin kufizim të vjedhjeve të energjisë elektrike, propozime për të ristrukturuar tarifat brenda fundit të vitit 2014, që do të zbatohet në tremujorin e parë të vitit 2015, dhe një reformë institucionale të ndërmarrjeve shtetërore që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor.

Ai tha se stafi i FMN-së e mirëpret planin për t’u dhënë kompensim shtresave të varfra përmes një kompensimi në të holla të përcaktuar mirë.

Cani: Ulje borxhit publik, rritja ekonomike 2%

Nga ana e tij ministri Cani deklaroi ekonomia shqiptare ka filluar të rimëkëmbet dhe reformat e ndërmarra nga Qeveria janë në drejtimin e duhur.

Ai tha se pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit janë pozitive, duke mbështetur në parashikimet që kemi për rritje ekonomike reale 2%, aq sa ka qenë edhe parashikimi.

Cani u shpreh se qeveria mbetet e angazhuar për të vazhduar me konsolidimin fiskal për të ulur borxhin publik në vitin 2015, ndërsa shtoi se kjo do të arrihet duke thelluar reformat në administratën tatimore dhe duke zbatuar një paketë të balancuar masash fiskale që synojnë ruajtjen e rritjes ekonomike.

“Një prioritet i rëndësishëm për 2015 është reforma e rimbursimit tatimor. Ligji i ri i TVSH-së i miratuar në korrik të vitit 2014 eliminon kërkesën për auditim të detyrueshëm të çdo veprimi që ka të bëjë me rimbursimin e TVSH. Ligji përcakton kriteret që e vendos kontrollin mbi bazën e riskut, pra jo çdo veprim duhet audituar, por vetëm veprimet që janë me risk relativisht të lartë. Kjo përshpejton shumë procesin e rimbursimit në kohë të TVSH dhe detyrimeve të tjera. Gjatë vitit 2015 do të krijohet kadastra fiskale, hap i rëndësishëm në drejtim të mbledhjes së taksës së pronës, që do të ndihmojë në mirëadministrimin e një prej taksave ku ne synojmë një përmirësim të ndjeshëm në mbledhje”, u shpeh Cani.

Në vijim ai shtoi se Qeveria do të sigurojë dhe monitorojë që ndikimet fiskale të sektorit të energjisë të vijnë në rënie duke shmangur barrën mbi tatimpaguesit dhe një prioritet do ti jepet mbrojtjes së shtresave në nevojë, e cila realizohet plotësisht me buxhetin e vitin 2015.

Ai tha se marrëveshja me FMN ndërmjetëson një tranzicion më të butë për arritjen e këtij objektivi, pra për fillimin e uljes së nivelit të borxhit publik, duke ankoruar pritshmëritë e investitorëve.

Ahmetaj: Rritja ekonomike, një trend i konsoliduar

Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj deklaroi në fjalën e tij se ekonomia shqiptare ka kaluar një vit korrektimi dhe sot vërehet që rritja ekonomike është një trend i konsoliduar dhe ndahet i njëjtin mendim me FMN që rritja ekonomike për vitin 2014 do të jetë mbi 2%, duke shtuar ky ka qenë dhe parashikimi brenda programit.

Sipas tij, kjo për qeverinë shqiptare është e pamjaftueshme që do të thotë se reformat strukturore do të duhet të vazhdojnë me të njëjtin intensitet, me të njëjtën vendosmëri sidomos në sektorin energjetik, në përmirësimin e administrimit fiskal, në reformën e pensioneve apo dhe në klimën e biznesit.

“Dua të theksoj që me gjithë vështirësitë ekonomike që kemi kaluar, qeveria shqiptare arrin të mbajë të paprekura pagat dhe pensionet, ndryshe nga sa kanë bërë vende të tjera të rajonit si Serbia etj., që janë detyruar të marrin masa drastike të uljes së pagave dhe pensioneve dhe dua të theksoj që vazhdimësia e reformave është kusht për suksesin dhe përmirësimin ekonomik qoftë në vitin 2015, apo në vazhdim. Reforma në sektorin energjetik është themelore dhe viti 2015 është vitit që merr përsipër të fillojë korrektimin e 22 viteve keq-menaxhim në sektorin elektro-energjetik shqiptar. Kjo është një masë tejet e guximshme, tejet e përgjegjshme e qeverisë shqiptare dhe jemi të bindur që jemi duke bërë gjënë e duhur, më duhet të them që edhe FMN në diskutimet tona, e mbështet tërësisht reformën e thellë në sektorin elektro-energjetik si një nga instrumentet që gjithashtu do të përmirësojë situatën tonë fiskale por edhe zhvillimin ekonomik”, tha Ahmetaj./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit