Transmetuar më 25-11-2014, 20:36

Hetime intensive për denoncimin e para pak ditëve që publikoi noa.al mbi vdekjen e një bebeje në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe akuzën e prindërve se fëmija iu ndërrua nga personeli.

Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë Nr. 3 thanë sot për agjencinë noa.al se në vijim të punës hetimor për kallëzimin e shtetasit SH.Ç, për veprën penale të "Ndërrimit të fëmijës", të hënën kanë nisur zyrtarisht hetimet në ngarkim të disa shtetasve, bazuar nën nenin 128 të Kodit Penal.

Mësohet se nën hetim janë vënë personel mjekësor nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë”. Dyshimet janë se kemi të bëjmë me një akt të paskrupullt. Kur 20 vjeçarja M.Ç., ka lindur fëmijën, ia kanë ndërruar në maternitet dhe më tej i kanë thënë se bebja e saj kishte lindur e vdekur. Këto nuk u besuan as nga 20 vjeçarja dhe as nga bashkëshorti i saj dhe ata denoncuan në polici.

Ata u kanë kërkuar detaje mjekëve për arsyet e vdekjes së deklaruar prej tyre të foshnjës, por ata nuk kanë qenë në gjendje që ta bindin.

Si pasojë e kësaj M.Ç., ka dyshuar se fëmija e saj nuk ka vdekur por i është dhënë dikujt tjetër ndërsa 20-vjeçares i është dorëzuar fëmija i vdekur.

Në orët në vazhdim priten detaje të reja mbi këtë skandal të denoncuar. Nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë” ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar. /a.d/noa.al/

Hetimet zyrtare

Çifti i ri, është me banim në Tiranë. Ata kanë shfaqur dyshime të hapura rreth ekipit mjekësor, për një vepër me keqdashje, atë të ndërrimit të fëmijës. Ata thonë se gjatë të gjitha vizitave të mëparshme mjekësore, askush nuk u kishte thënë se diçka nuk shkonte me fëmijën e tyre.

Nëna dhe babai i bebes akuzojnë mjekët se e kanë ndërruar fëmijën, për të cilën pretendojnë se ka lindur i gjallë, me një fëmijë të vdekur.

Policia e dërgoi trupin e pajetë pranë morgut të Tiranës. Instituti i Mjekësisë Ligjore pohojnë se janë kryer analizat e ADN-së dhe se shumë shpejt priten përgjigjet, për të mësuar nëse ishte fëmija i tyre apo i ndërruar.

Burime nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, në Tiranë, thanë se herë pas here në këtë maternitet por edhe të tjerë në Tiranë dhe në rrethe ka pasur akuza verbale nga prindër për ndërrim fëmijësh dhe vdekje në rrethana të paqarta të bebeve të tyre.

Është hera e parë që një rast i tillë akuze shkon në denoncim penal duke shtyrë policinë dhe prokurorinë që të ndërmarrë investigim mbi çështjen.

Ja çfarë përcakton Kodi Penal:

Neni 128

Ndërrimi i fëmijëve

Ndërrimi i fëmijëve i bërë me pakujdesi nga personeli ku fëmijët mbahen për rritje, mjekim ose në shtëpi lindjeje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 128/a

Fshehja ose ndërrimi me dashje i fëmijës

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 35)

Fshehja ose ndërrimi me dashje i fëmijës me një tjetër, i kryer nga personeli mjekësor, dënohet me burgim nga tre gjer në tetë vjet.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit