

Policia e Komisariatit nr 3 të Tiranës është duke kryer hetime lidhur me helmimin e 26 fëmijëve të cilët përfunduan në spital nën kujdes mjekësor pasi konsuamuan ushqim në një restorant.
Policia tha zyrtarisht sot se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin H.D, 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi në restorantin e tij në rrugën e “Kavajës”, nga konsumimi i ushqimeve janë intoksikuar fëmijët me iniciale M.V, Z.H, E.P, A.O, J.B, O.K, E.L, E.Ç, R.O, O.M, A.C, O.V, T.P, J.B, M.K, A.D, A.A, E.P, M.T, A.Z, A.M, Z.R, F.L, J.A, D.B, E.H.
Të vegjlit, pas mjekimit u larguan në banesa jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se H.D. po hetohet bazuar te neni 92 i Kodit Penal: “Plagosja e lehtë e kryer nga pakujdesia” e cila përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.
Fëmijët kishin mbërritur në Tiranë për një ekskursion, një natë e dy ditë, por dje janë helmuar, pasi kanë darkuar në restorantin fast-food në Rrugën e Kavajës.
Bëhet fjalë për fëmijë të grup moshës 13-17 vjeç, të cilët janë paraqitur në restorant në orën 20.00 të mbrëmjes, ndërsa kanë përfunduar dhe i janë drejtuar hotelit ku edhe do të flinin. Mirëpo me të mbërritur në hotel mësohet se nxënësit kanë filluar të ndiejnë shqetësime shëndetësore, si: dhembje koke dhe barku, simptoma që janë bërë shkak për dërgimin e menjëhershëm të tyre në pediatrinë e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, për të marrë ndihmën e parë.
Burime zyrtare nga QSUT bënë me dije se fëmijët janë paraqitur pranë urgjencës së pediatrisë në mesnatën duke gdhirë dita e sotme.
Pas kësaj të gjithë ata kanë bërë serum, ndërsa një orë më vonë, pasi mjekët kanë parë se gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar i kanë lënë të largohen. Të 26 15 fëmijët kishin të njëjtat simptoma, dhimbje barku dhe koke.
Zyrtarisht mësohet se Instituti i Shëndetit Publik ka marrë mostrat e nevojshme të ushqimeve në lokalin, ku kanë ngrënë fëmijët, për të kryer të gjitha analizat deri në daljen e një konkluzioni të qartë, për të kuptuar se nga se ndodhi helmimi.
Ekspertët e ISHP-së kanë nisur analizimin e mostrave për të mësuar se cili nga produktet ushqimore të konsumuara në atë lokal mund të jetë bërë shkak për helmimin e tyre. Burime zyrtare nga ISHP sqarojnë se pas daljes së përgjigjeve në lidhje me cilësinë e ushqimit që kanë ngrënë, ato do t’i jepen menjëherë Ministrisë së Shëndetësisë.
“Ne kemi marrë mostrat nga ushqimi dhe pritet që shumë shpejt të dalin edhe rezultatet e tyre. Për momentin nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për helmim nga ushqimi i restorantit”, pohojnë burime zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





