

Tiranë, 25 nëntor 2014, NOA.al- Deputeti socialist Blendi Klosi, reagoi ndaj Partisë Demokratike, duke thënë se opozita vijon të bëjë thirrje për shkelje të ligjit.
Në një dalje nga selia rozë, Klosi deklaroi se edhe sot, përmes kryetarit të SHQUP-it, opozita vazhdoi të bëj thirrje për anarshi dhe shkelje të ligjit, duke shtuar se ashtu sikurse në të gjitha ditët e fundit, ankohen pse qeveria u kërkon bizneseve dhe qytetarëve të paguajnë energjinë elektrike, e Lulzim Basha personalisht i nxit njerëzit të mos e paguajnë faturën.
“Ankohen pse qeveria nuk lejon zaptimin e hapësirave publike, e ndërkohë Lulzim Basha personalisht inkurajon ndërtimet pa leje. Dhe si në asnjë vend të Botës, Lulzim Basha i kërkon qeverisë së re, që vetëm në një vit, të ndreqë gjithçka që qeveria e Sali Berishës prishi dhe shkatërroi në tetë vjet rresht. Absurdi vazhdon edhe më tej, kur mendon se vetë Lulzim Basha, në katër vite dështim të plotë si Kryetar Bashkie, nuk ka mbajtur as edhe një premtim të vetëm që u dha qytetarëve të Tiranës gjatë fushatës së katër viteve më parë. Po i mbaron mandati pa mbajtur asnjë premtim dhe në vend të japë llogarinë që i takon, e ka braktisur me vetëdije detyrën ndaj qytetarëve për t’u bërë zëdhënës i SHQUP-it, i Saliut dhe i të gjithë atyre që s’duan të paguajnë dritat, atyre që kërkojnë anarshi dhe shkeljen e ligjit”, u shpreh Klosi.
Deputeti socialist tha se kjo është një betejë mes Shqipërisë së re që po rilind përmes reformave dhe Shqipërisë së vjetër informale që nuk do të ndahet nga rruga e rrënimit, ndërsa shtoi se kjo është një betejë mes Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe Aleancës për anarki e vetëshkatërrim në mes të Europës.
Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se, “Kjo është beteja mes nesh që duam që Shqipëria të bëhet, e flasim që shqip dhe atyre që mendojnë se ky është një vend pa shpresë e që flasin Shqup”./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





