Transmetuar më 25-11-2014, 05:19

Nga Edison Kurani / Independent Balkan News Agency

Në Shqipëri këtë muaj po kremtohet 70 vjetori i çlirimit nga kushtetuesit italianë dhe gjermanë. Qytete të ndryshme kanë data të ndryshme, por festa kombëtare është ajo e 29 nëntorit, ditë kur u deklarua çlirimi i Shkodrës.

E në këtë atmosferë festimesh janë përfshirë edhe ithtarë të komunizmit. Portretet e Enver Hoxhës kanë mbushur disa nga festat, përfshirë dhe ato ku kanë marrë pjesë autoritete të larta shtetërore.

Opozita, thotë se është normale për të majtët që të “krekosen” me Enverin. Kurse thekson se t’i thurësh lavde diktatorit do të thotë të kesh nostalgji të papranueshme për të kaluarën e keqe.

Me të bashkohet edhe diplomacia e huaj. Ambasada e SHBA e cilësoi si të papranueshme këtë situatë kurse ambasadori e quajti Enverin, një “monstër”.

Nga ana tjetër, komunistët e Frontit të Majtë janë shumë kritikë ndaj këtyre deklaratave. Kurse kundër tyre janë ish të burgosurit politikë.

SHBA kritikon prezencën e Enverit në festime

Ambasada amerikane në Tiranë e pa me zemërim shfaqjen e portreteve të Enverit në festimet zyrtare.

“Fatkeqësisht, fotot e diktatorit e njollosën ceremoninë e sotme””, – deklaroi ambasada amerikane duke iu referuar festimit të 70 vjetorit të çlirimit të Tiranës organizuar nga qeveria.

Ndërsa ambasadori Alexandër Arvizu, e cilësoi shëtitjen e portreteve të Enverit, si "një fyerje për shqiptarët". “Ka qenë një monstër që ka sjellë vetëm vuajtje të parrëfyeshme për miliona shqiptarë. Është e rëndësishme ta kujtojmë rolin historik të tij në Shqipëri, por nuk duhet bërë asgjë për ta glorifikuar.”

Edi Rama reagon

Kritikat direkte të SHBA sollën reagimin e kryeministrit Edi Rama që nxitoi të distancohet: “Keqardhje për të paftuarit që futen si diversantë nëpër turmat e aktiviteteve përkujtimore të çlirimit, për të ngritur fotografitë e Enver Hoxhës. Keqardhje për të fandaksurit që kapen pas fotografive të Enver Hoxhës, për të bërë luftë politike me ne. Të dyja palët janë e shkuara e këtij vendi i cili s’ka kohë për të humbur me marrëzitë e tyre”, – tha z.Rama.

Berisha ironizon

Këtë deklaratë të Ramës, ish kryeministri Berisha e sheh si një justifikim amator. “Ai duket qartë se është i lumtur me të atin e tij shpirtëror mizor, Enverin, Hitlerin shqiptar, që ia sollën në ceremoni diversantët”, – ironizon Berisha.

Servet Pëllumbi: Arvizu gaboi

Ish-kryetari i Kuvendit dhe një ndër liderët e parë të PSSH pas vitit 1991, Servet Pëllumbi, kritikon deklarata e ambasadorit në detyrë të SHBA, Alexandër Arvizu duke thënë se ai gaboi që e quajti Enverin monstër.

“Arvizu gaboi kur tha për Enverin se ishte monstër. Enveri ka qenë aleat edhe i amerikanëve në Luftë”, thotë Pëllumbi.

Komunistët, qëndrim të ashpër ndaj Arvizu dhe Ramës

Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama, është pasardhëse direkte e Partisë së Punës së Shqipërisë të diktatorit Enver Hoxha. Më 11 qershor 19911, PPSH u mblodh dhe mori vendim të ndryshojë emrin. Pati disa variante, në fund u vendos emri PSSH. Gradualisht nga kjo parti u larguan figurat kryesore. Ndërsa në vite, kjo parti u spastrua thuajse tërësisht nga komunistët duke u shndërruar në një parti socialiste e tipit perëndimor. Nga kjo parti lindi më vonë edhe LSI e kryetarit aktual të Kuvendit, Ilir Meta.

Pasi PPSH ndryshoi emrin në PSSH, komunistët e ndjenë veten të tepërt aty. Ata themeluan disa parti të ekstremit të majtë. Së fundi këto parti janë grupuar në Frontin e Majtë. Kryetari i këtij Fronti, Marko Dajti, flet me IBNA për debatin e ndezur.

“Festa e 70-vjetorit të çlirimit të Tiranës u njollos rëndë, por jo nga veteranët e nderuar të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që mbanin në duar portretin e komandantit të tyre. Festa u njollos nga deklarata e ambasadorit me mandat të skaduar, Aleksandër Arvizu, i cili e quajti fyerje për shqiptarët që të mbanin në duar fotografinë e Komandantit të Përgjithshëm të ushtrisë që çliroi vendin”, – thotë Dajti.

Ai ka një kujtesë për Arvizun: “Historia e Shqipërisë nuk fillon në vitin 1990 dhe ambasadori duhet ta dijë mirë këtë gjë. Në Luftën e Dytë Botërore, partizanët shqiptarë, të drejtuar nga PKSH dhe Enver Hoxha, ngritën popullin në luftë kundër fuqive të Boshtit Japoni, Gjermani, Itali, duke u rreshtuar përkrah koalicionit fitues SHBA, Bashkimi Sovjetik, Angli. Ky është një kontribut i njohur botërisht, edhe nga Uashingtoni”.

Z.Dajti i ashpërson edhe më shumë tonet ndaj Arvizu dhe këtu, nuk kursen as Ramën: “Ambasadori nuk mund të abuzojë paturpësisht me ndjenjat miqësore që shqiptarët kanë kundrejt SHBA. Historia nuk shkruhet sipas dëshirës së një ambasadori dhe as sipas tekave të një kryeministri. Ndryshe, do të vijë një ditë kur Edi Rama do të përfundojë si pensionist politik”.

Meta: Lufta nuk duhet të identifikohet me një individ

Pas “dushit të ftohtë” që mazhoranca mori nga SHBA dhe opozita shqiptare, ajo që ndodhi në Tiranë, nuk u përsërit në Lezhë. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të Lezhës. Në ceremoni, ishte bërë kujdes që asnjë portret i Enverit mos qarkullonte.

Z.Meta foli për këtë temë që ka ngjallur debat dhe tha se distancohet nga portretet e Enver Hoxhës.

Meta sugjeron se lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare nuk mund të identifikohet me emra të veçantë. “Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare nuk mund të identifikohet me asnjë individ të caktuar, cilido qoftë ai, sepse ishte një luftë mbarëpopullore, që përfshiu të gjitha krahinat e Shqipërisë”.

Opozita: Po konfirmohet zyrtarisht rehabilitimi

Opozita thotë se ceremonitë qeveritare “me fotot dhe koret e diktatorit Hoxha”, janë konfirmim zyrtar rehabilimit. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, thotë: “Edi Rama dhe Ilir Meta, zyrtarisht po konfirmojnë dhe vënë në jetë projektin e tyre për rehabilitimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha”.

Paloka thotë se kjo është fyerje ndaj shumë njerëzve. “Duke përkujtuar këtë 70 vjetor, me diktatorin Hoxha, Rama dhe Meta, kanë fyer kujtimin e dhjetëra intelektualëve, heronjtë e vërtetë të luftës, të cilët u vranë dhe u linçuan drejtpërdrejt nga dora e Enverit.

Me Enver Hoxhën në sfond, Edi Rama dhe Ilir Meta, provokojnë të gjithë shoqërinë tonë, dhe plagët e saj më të dhimbshme të periudhës së shkeljes brutale të dinjitetit njerëzor, të plagëve të urisë që solli diktatori në këtë vend për më shumë se 40 vite”.

Spartak Ngjela: Enveri vriste jo vetëm rivalët

Një ndër avokatët më të njohur në Shqipëri, Spartak Ngjela është kritik ndaj nostalgjisë për diktatorin. Ish ministri i Drejtësisë ka qenë i burgosur politik në komunizëm. “Shkenca e historisë ka provuar plotësisht se Enver Hoxha tradhtoi idealet e luftës së vet, edhe pse mori titujt e pamerituar si komandant i saj. Enver Hoxha tradhtoi luftën partizane dhe tradhtoi aleatët anglo-amerikanë. Si i pashkolluar dhe anti-perëndimor, Enver Hoxha vrau jo vetëm kundërshtarët politikë por edhe bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë”, – evidenton Ngjela.

Avokati që mbështeti për disa vite socialistët kur ishin në opozitë dhe tani qëndron larg tyre,  thotë se e majta në pushtet po përpiqet fshehurazi të rehabilitojë figurën e diktatorit Enver Hoxha, duke e shfaqur gjoja rastësisht në disa veprimtari.

“Opinioni publik nuk mund të reagojë kundër disa veprimeve të bëra vjedhurazi, gjoja spontanisht, aty-këtu, por qytetarët janë gati të kundërshtojnë fort sapo dikush do ta rehabilitojë zyrtarisht diktatorin Hoxha”, paralajmëron ai.

Ndregjoni kritikon dukurinë “Enveriste”

Kryetari i Shoqatës së të dënuarve dhe përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni, thotë se “Enverizmi” është një dukuri e pranishme në partitë shqiptare. Ai paralajmëron se dukuria po bëhet e rrezikshme për Shqipërinë anëtare e NATO dhe si vend që pret të futet në BE.

Ai kritikon edhe faktin se zyrtarisht asnjë qeveri në dy dekada e gjysmë nuk dënoi zyrtarisht krimet e diktaturës.

“Gjatë 24 viteve tranzicion asnjë qeveri nuk i dënoi zyrtarisht krimet e Partisë Komuniste dhe diktatorit Enver Hoxha. Askush nuk u kërkoi falje viktimave dhe askush nuk u distancua nga ato krime, prandaj nuk gjenden dot edhe sot trupat e 4 500 të pushkatuarve me gjyq dhe pa gjyq nga diktatura komuniste”.

***

Në rreth 45 vjet që Shqipëria ishte nën diktaturë komuniste, u vranë me gjyqe farse dhe pushkatim pa gjyq rreth 6 mijë shqiptarë. Po ashtu u burgosën 30 mijë të tjerë, ndërsa u internuan mbi 60 mijë njerëz. Persekutim vuajtën për shumë vjet me qindra mijë shqiptarë të tjerë.

Ndërkohë u vranë rreth 100 shqiptarë të Kosovës dhe 64 shtetas të huaj. Po ashtu u burgosën në Shqipëri 1250 persona me kombësi joshqiptare.

Gjatë diktaturës, për 23 vjet u ndalua me ligj feja, u burgosën 310 klerikë dhe besimtarë dhe u shkatërruan 220 institucione fetare, kryesisht xhami dhe kisha. /ibna/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit