

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) e rendit Shqipërinë në vendin e parë për reformat strukturore të kryera gjatë këtij viti.
Në Raportin e Tranzicionit për vitin 2014 që publikoi BERZH, Shqipëria ka marrë vlerësim pozitiv në teknologjinë e informacionit, agrobiznes, industri, pasuri të patundshme, energjinë e qëndrueshme, transportin urban dhe sistemin bankar.
Treguesit e vlerësimit të BERZH shkojnë nga 1 deri 4 +. Vlerësimi 1 përfaqëson ndryshim pak ose aspak në krahasim me një ekonomi të ngurtë e centralizuar dhe 4+ përfaqëson standardet e një ekonomie të tregut.
Sipas raportit të BERZH më dobët paraqitet reforma në sektorë të tillë hekurudha, tregu i sigurimeve dhe tregjet e kapitalit.
Raporti analizon edhe vendet e tjera të Ballkanit, si Serbia, Mali i Zi, Kosova, FYROM, Bullgaria dhe Rumania dhe sugjeron se ato paraqiten shumë më dobët se Shqipëria sa i përket reformave strukturore.
Raporti i BERZH konstaton zhvillime pozitive përsa i përket infrastrukturës në të gjithë Ballkanin.
Në fushën e kreditimit, BERZH thotë se hendeku është zgjeruar pothuajse në të gjitha vendet. Kjo është nxitur nga kreditimi i pakët për shkak të gjendjes së dobët ta bankave të cilat po vuajnë në bilancet e tyre kreditë me probleme.
Sipas Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim vitet e fundit kanë qenë të vështira për tregjet e energjisë në rajonin e Ballkanit.
Disa vende i kanë shpallur reformat në këtë sektor, por progresi në zbatimin e tyre, ka qenë i ngadaltë, thotë BERZH.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





