Transmetuar më 23-11-2014, 20:26

Lëvizja Vetëvendosje thotë se shtetasit e Kosovës po braktisin vendin nga varfëria. Sipas saj vendi po përballet me arratisje masive të shqiptarëve.

“Po vëmë re se këto ikje masive nga Kosova nëpër Serbi drejt vendeve të BE-së, ditëve të fundit janë shpeshtuar shumë”, – vëren partia që kontrollon bashkinë më të madhe në vend, Prishtinën.

Kjo parti parashikon se koalicioni PDK – LDK siguron qytetarët e Kosovës që keqqeverisja e deritashme do të rehabilitohet dhe do të vazhdojë.

“Kjo e bën Kosovën të pashpresë për secilin qytetar, hiq militantët partiakë të partive në pushtet. Andaj largimi në rrugë klandestine edhe pse me rreziqe të mëdha, kujtojmë këtu mbytjen në lumin Tisa më 22 tetor 2009, apo burgjet hungareze, po shihen si zgjidhje më e mirë, sesa mbetja në Kosovë nën mëshirën e qeverisjes së këtij koalicioni”, – konstaton Vetëvendosje.

Sipas saj, pamjet e autobusëve që marrin rrugën e emigrimit ilegal janë vetëm një shpërfaqje e vogël që ilustron dhunën e përditshme sistemore që ushtrohet çdo ditë. “Kjo dhunë, edhe pse është e pavërejtshme haptazi, dita-ditës po i shton familjet që bien në gjendjen e varfërisë dhe mjerimit teksa problemi i papunësisë që nuk ilustrohet dot në pamje televizive po zgjerohet dhe thellohet vrullshëm”.

Në këtë pikë Vetëvendosje sugjeron se “kur qytetarëve jeta u është bërë e padurueshme në Kosovë, përgjigja nuk është disiplina policore dhe ndalimi në kufi por, sigurimi i të paktën i minimumit jetik”.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se duhet hapur debati shoqëror se si ta bëjmë Kosovën një atdhe që nuk braktiset. “E kjo është një çështje që thërret zgjidhje politike. Problemet e gjithsecilit pavarësisht veçorive individuale, por që janë të shkaktuara nga kushtet e jetesës, zgjidhjen e kanë brenda të përgjithshmes. Zgjidhja individuale është gjithnjë e përkohshme dhe e paqëndrueshme. Ndaj angazhimi shoqëror e politik është si gjithnjë i domosdoshëm”, – vlerëson partia e drejtuar nga Albin Kurti. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit