Transmetuar më 23-11-2014, 19:16

Partizani rikthehet te fitorja. Të kuqtë mundën 2-0 Kukësin në “Qemal Stafa” pas një 90 minutëshi ku shfaqën gjithë forcën e tyre, duke bërë dhe një autokritikë për humbjen 3-0 në Korçë përballë Skënderbeut.

Golat e Ibrahimit dhe Nexhipit i dhanë suksesin të kuqve, që mundën sërish një rival direkt në garën për titull si për të treguar se ajo humbje në Korçë, ishte vetëm një rrëshkitje.

Nuk kishte qenë një javë e lehtë për klubin e kuq, me ndarjen nga jeta të bashkëshortes së Alban Hoxhës, të cilën futbollistët e Partizanit e kujtuan me një minutë heshtje përpara startit.

Në momentin që nisi sfida, të kuqtë nuk ishin më të heshtur, duke dashur të imponojnë që në fillim ritmin e tyre. Kontrolli i lojës u konkretizua në minutën e 14-të, pas një goli fantastik të Ibrahimit.

Partizani tashmë ishte përpara, por përballë Kukësit një 1-0 nuk mund të jetë kurrë mjaftueshëm, ndaj ekipi i Duros u vu në kërkim të golit të dytë, të cilin e gjeti në minutën e 32-të me anë të Nexhipit, që nga një pozicion i pamundur e dërgoi topin në rrjetë dhe me bashkëpunimin e Halilajt, që nuk u vendos siç duhet.

Me rezultatin 2-0 për ekipin e Duros nuk ishte e thjeshtë të kontrollonte ndeshjen. U mbyll gjithçka me fitoren e të kuqve, që marrin tre pikë me peshë për renditjen, duke i bërë një dhuratë tifozëve të tyre por dhe Alban Hoxhës në një moment të vështirë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit