Transmetuar më 22-11-2014, 09:24

Tiranë, 22 nëntor 2014, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh Presidentit të Kinës, Xi Jinping me rastin e 65-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës.

Në mesazhin e tij Nishani shprehet se Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që ka pasur dëshirën dhe vullnetin për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën, duke shtuar se marrëdhëniet tradicionale, ndihma e vazhdueshme e popullit kinez për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, si dhe eksperiencat e shumëfishta të bashkëpunimit, të krijuara mes dy vendeve ërgjatë këtyre viteve, e kanë bërë edhe më të fortë ndjenjën e miqësisë mes dy popujve.

“Dinamika e këtij bashkëpunimi në dy dekadat e fundit ka njohur një marrëdhënie të re cilësore, marrëdhënie që reflekton jo vetëm zhvillimet pozitive në të dy vendet tona, por krijon hapësira edhe më të mëdha për forcimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi. Ju siguroj se, Republika e Shqipërisë i kushton një rëndësi shumë të madhe e të veçantë, forcimit të bashkëpunimit me Republikën Popullore të Kinës dhe ka vullnetin për t’i konkretizuar këto marrëdhënie miqësore e tradicionale në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”, shkruan ndër të tjera Nishani.

Mesazhi i plotë i Kreut të Shtetit

“Shkëlqesi,

65-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, më jep kënaqësinë e veçantë që t’Ju përcjell, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të ngrohta dhe të përzemërta për Ju dhe popullin mik kinez.

Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që ka pasur dëshirën dhe vullnetin për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën. Marrëdhëniet tradicionale, ndihma e vazhdueshme e popullit kinez për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, si dhe eksperiencat e shumëfishta të bashkëpunimit, të krijuara mes dy vendeve tona përgjatë këtyre viteve, e kanë bërë edhe më të fortë ndjenjën e miqësisë mes dy popujve tanë.

Jam vërtet i lumtur që sot dy vendet tona, Republika e Shqipërisë dhe Republika Popullore e Kinës, ruajnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe kanë një nivel shumë intensiv bashkëpunimi, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Dinamika e këtij bashkëpunimi në dy dekadat e fundit ka njohur një marrëdhënie të re cilësore, marrëdhënie që reflekton jo vetëm zhvillimet pozitive në të dy vendet tona, por krijon hapësira edhe më të mëdha për forcimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi. Ju siguroj se, Republika e Shqipërisë i kushton një rëndësi shumë të madhe e të veçantë, forcimit të bashkëpunimit me Republikën Popullore të Kinës dhe ka vullnetin për t’i konkretizuar këto marrëdhënie miqësore e tradicionale në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

I nderuari Zoti President, kam kënaqësinë gjithashtu që, në këtë përvjetor të marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës të përshëndes zhvillimet e mëdha e të vrullshme të vendit Tuaj, si dhe rolin gjithnjë e më aktiv që vendi juaj ka marrë në arenën dhe organizatat ndërkombëtare në përballimin e sfidave globale. Duke ju siguruar edhe njëherë për ndjenjat e miqësisë së popullit shqiptar, Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.”/a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit