Transmetuar më 22-11-2014, 12:48

Tiranë, 22 nëntor 2014, NOA.al/Arjola Ymeraj- Protesta e paralajmëruar e Partisë Demokratike nisi pak minuta pas orës 12.00 me një marshim i cili kulmoi përpara Kryeministrisë dhe duke lënë të hapur mundësinë e protestave të tjera. Basha paralajmëroi liderin e mazhorancës Edi Rama dhe bashkëdrejtuesin e qeverisë, siç e quajti ai Ilir Metën, se nëse nuk mbajnë premtimet me të cilat fituan zgjedhjet, duhet të japin dorëheqje ose do të rrëzohen me protesta.

Në podiumin e ngritur para selisë së Qeverisë, Basha i kërkoi kryeministrit Edi Rama dhe kreut të parlamentit Ilir Meta, që të lënë mënjanë ato që ai i quajti sukseset imagjinare dhe të dëgjojnë qytetarët.

“Nëse nuk përmbush kontratën me qytetarët nuk dhunohet populli, por ose jepet dorëheqja ose rrëzohet Qeveria” paralajmëroi ai.

“Jemi më shumë se kurrë në bulevardin e shpresës dhe bashkimit. Jemi më shumë se kurrë në historinë e këtij qyteti kundër rritjes së taksave, papunësisë, rritjes së çmimit të energjisë. Jemi këtu për të izoluar të keqen, për t’iu kthyer së mirës. Jemi këtu pasi Edi Rama nuk i llogarit më qytetarët. Sot është futur në bunkerin e Enver Hoxhës për të mos ju shikuar ju. Është futur aty sepse mendon se nuk ju shikon dot, nuk ju dëgjon dot, nuk ndjen forcën e bashkimit të një populli të tërë”, – u tha Basha përkrahësve entuziastë që kishin ardhur nga qytete të ndryshme të vendit dhe mbanin në duar pankarta të shumta. Sipas kreut të PD në miting ishin të paktën 200 mijë pjesëmarrës. Kurse në rrjetin social Facebook, ish kreu i PD dhe ish kryeministri Sali Berisha e ngriti numrin në 250 mijë.

Kronika e plotë e protestës, transmetuar tek NOA.al

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se qytetarët kanë ardhur në shesh për të kërkuar të drejtat e tyre. Ai kërkoi nga kreu i qeverisë që të mos luajë me durimin e popullit dhe me bukën e tyre, duke përsëritur kërkesat se qytetarët duan punë dhe dinjitet.

“Kemi ardhur sot të përballemi me këtë qeveri, kemi ardhur se nuk vjen më Edi Rama tek ju, nuk iu pyet më. E keni marrë vesh, sot është futur në bunkerin e Enver Hoxhës për të mos iu parë ju sepse mendon se aty nuk iu dëgjon dot, nuk iu shikon dot dhe mendon se nuk e ndjen forcën e bashkimit të një populli të tërë. Është futur në bunkerin e izolimit, Kryeministri që mashtroi e bën sikur harron”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se kreu i qeverisë i përdor njerëzit si mish për top për eksperimente në ekonomi, shëndetësi dhe rend.

Kryedemokrati kujtoi se ka zhvilluar një tur në të gjithë Shqipërinë, ku tha se gjatë tij dëshpërimi i treguar ka qenë i paprecedentë dhe zemërimi dhe shpërthimi i qytetarëve ka qenë si kurrë më parë.

Kreu i PD tha më tej se koha po kalon dhe njerëzve po iu mbaron durimi, duke kërkuar që qeveria të zmbrapset dhe të tërhiqet nga rruga e zullumit, ndërsa paralajmëroi se përndryshe nuk do të pranohet qeveria e mashtrimit, por do të largohet ajo.

Në këtë linjë Basha paralajmëroi protesta të tjera duke thënë, “Ne do t’iu largojmë, prandaj mos kini shpresë se do ndalemi, do të mposhtemi dhe lodhemi.  Ne nuk do të pushojmë së luftuari për liritë e dhunuara, këtu do të na keni, sot nesër, javën e ardhshmme muajin e ardhshëm, deri sa të plotësoni kushtet e kontratës me popullin. Tërhiquni dhe zprapsuni nga rruga e zullumit, për ndryshe ju paralajmëroj jo vetëm në emër të 200 mijë shqiptarëve sot, por në emër të të gjithë të zhgënjyerve, të braktisurve, se ne nuk do të pranojmë qeverinë e mashtrimit. Ne do t’u largojmë. Prandaj mos kini shprese se do të ndalemi, do mposhtemi, apo do lodhemi. Dyshja Rama-Meta duhet të kuptojë se Shqipëria ka ndryshuar. Shqiptarët e refuzojnë pushtetin e një grushti njerëzish, refuzojnë që civilizimin ta zëvendësojnë me injorancen dhe tiraninë. E hodhëm një regjim barbar 24 vjet më parë. Do të hedhim këdo që shfaq shenja arrogance me pushtetin".

Ai iu drejtua Kryeminisitrit Edi Rama duke thënë se shqiptarët nuk i kanë harruar premtimet dhe mashtrimet, dhe se shqiptarët nuk mposhten as me shtet policor dhe as me dhunë.

Ai kërkoi nga qeveria që të mos ua bëj më të vështirë jetën shqiptarëve, të mos rrisë çmimin e energjisë elektrike, të mos rrisë taksat, të mos rrisë tarifat për studentët etj., duke kërkuar që të hiqet dorë sa nuk është vonë.

Lidhur me aktivitetin e kreut të qeverisë, në një bunker antiatomik paralelisht me protestën, ai tha se as bunkeri i Enver Hoxhës dhe as hija e tij nuk do e mbrojë Kryeministrin nga fuqia e shqiptarëve të bashkuar më shumë se kurrë, për të kërkuar të drejtat dhe për të shpëtuar vendin.

“Hiq dorë përpara se të jetë vonë. Ne kemi dalë se duam drejtësi, duam funksionimin e shtetit ligjor. Dil nga bunkeri e dëgjoi qytetarët, dëgjoi para se të jetë tepër vonë lërini historitë e Natstradinit, shqiptarët, kërkojnë, presin dhe meritojnë respektimin e kontratës me zgjedhësit, shkunduni, hapini veshët dhe dëgjoni. Kur e merr gjithë pushtetin do mbash gjithë përgjegjësitë sepse kontrata me shqiptarët është e shenjtë, nuk mund të luash me të. Ka një rregull kur nuk përmbush kontratën nuk largohet qytetari, nuk bie qytetari, jepet dorëheqja ose rrezohet qeveria”, tha ndër të tjera Basha.

Berisha: Protesta më e madhe që Tirana ka njohur

Në një postim në profilin e tij në Facebook, ish-Kryeminsitri Sali Berisha shkruan se protesta e sotme është më e madhja që Tirana ka njohur.

“Mbi 250 mijë qytetarë në protestën më të madhe që Tirana ka njohur! Zemërimi popullor në zenit! Tirana dhe Shqipëria ushëtonin sot Rama ik! Ik! Ik! Rama shporru! Shporru! Shporru!!”, shkruan Berisha.

Policia: Nuk ёshtё ndaluar apo penguar ndonjë qytetar

Policia e Shtetit, sqaron opinionin publik se, lajmet e publikuara nё disa media mbi ndalimin nga policia tё qytetarёve pjesёmarrёs nё tubimin e organizuar nga subjekti PD, pёr mungesё tё dokumentacionit tё identitetit, nuk janё tё vërteta.

Në këtë linjë sqarohet se nga strukturat e Policisё sё Shtetit nё asnjë rast nuk ёshtё ndaluar apo penguar ndonjë qytetar, pёr tё marrё pjesё nё kёtё tubim, pёr kёtё shkak apo edhe pёr shkaqe tё tjera. Policia e Shtetit, garanton qytetarёt se janё marrё tё gjitha masat pёr tё siguruar mbarёvajtjen e tubimit.

Protesta e opozitës, Policia e Tiranës merr masa

Protesta e sotme opozitës ka vënë në lëvizje policinë e kryeqytetit. Policia e Tiranës bën me dije se ka marrë masat për sigurimin e rendit dhe qetësisë para, gjatë dhe pas protestës së zhvilluar nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

Gjatë ditës së sotme duke filluar nga ora 10.00 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në sheshin “Skënderbej”, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin “Nënë Tereza” Tiranë.

Do të bllokohet totalisht qarkullimi i mjeteve duke  filluar nga 11.00 deri në orën 16.00 dhe nuk do të lejohet parkimi në sheshin “Skëndërbej”, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Nënë Tereza” si dhe Sheshin “Italia”.

Në përfundim sqarohet se policia e kryeqytet, ka marrë të gjitha masat për zhvillimin normal të marshim- protestës para, gjatë dhe në përfundim të këtij aktiviteti politik./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit