Transmetuar më 21-11-2014, 15:35

Policia e Kyoto të Japonisë arrestoi Chisako Kakehi, milioneren 67 vjeçare, e njohur ndryshe si “vejusha e zezë” japoneze. Akuza ndaj saj është se ka helmuar burrin e fundit, 75 vjeçarin Isao Kakehi, në gjakun e të cilit u gjetën doza vdekjeprurëse cianuri.

Vrasja e mundshme daton më dhjetor të vitit 2013, më pak se dy muaj pas martesës mes saj dhe Isaos.

Bashkë me viktimën e fundit shkojnë në shtatë partnerët e gruas të vdekur në rrethana misterioze. Katër bashkëshortë dhe tre të fejuar. Është ky bilanci i viktimave të “vejushës së zezë”, e cila pas vdekjes së tyre ka përfituar nga sigurimi për jetën e tyre, fonde prej afro 800 milionë yen, ose thënë ndryshe rreth 5.4 milionë euro, si dhe prona të ndryshme.

“Nuk jam një vrasëse. Nëse dyshohet mbi mua, preferoj që të kafshojë gjuhën vetë dhe të vdes. Jam dënuar nga fati duke vuajtur vdekjen e personave që më rrinin pranë”, tha Chisako për gazetarët.

Burri i parë i “vejushës së zezë” vdiq në vitin 1994 në moshën 54 vjeçare. Në vitin 2006 vdiq bashkëshorti i dytë, si pasojë e një krize kardiake, në moshën 69 vjeçare dhe në vitin 2008 vdiq bashkëshorti i tretë i saj.

Vetëm një vit më vonë vdiq i fejuari i ri i saj, i cili ishte i prekur nga kanceri. Në vitin 2012 vdiq një tjetër partner, si pasojë e një aksidenti me motor. Nga ana e mediave thuhet se edhe në këtë rast në trupin e viktimës kishte gjurmë cianuri. Vdekja tjetër daton në shtatorin e një viti më parë kur ajo me të fejuarin sapo kishin darkuar në një restorant, kur partneri 54 vjeçar gjeti vdekjen./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit