

Fushë Krujë, 21 nëntor 2014, NOA.al- Mosdeklarimi i pagës së plotë apo mospagesa e sigurimeve shoqërore është vrastare për punonjësit sepse kjo përkthehet në një pension të ulët në të ardhmen. Me këto fjalë u shpreh Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, duke u bërë thirrje punëtorëve dhe kompanive që ushtrojnë funksionin e tyre në Shqipëri, që të ndërgjegjësohen për të deklaruar pagën reale dhe të paguajnë sigurimet në mënyrë që të përfitojnë pensione më të larta pas 1 janarit 2015.
“Sot kemi shumë raste kur punonjësit punojnë ose në të zezë, ose nuk i deklarojnë sigurimet shoqërore, ose deklarojnë vetëm pagën minimale. Kjo është vrastare për jetën e një punëtori sepse do të thotë se në të ardhmen ai do të marrë një pension qesharak. Nëse dikush punon në të zezë, mund të mbijetojë për pak kohë, por nuk do të ketë se me çfarë të jetojë kur të dalë në pension”, u shpreh Veliaj.
Ai deklaroi se sigurimet e papaguara sot, do të rezultojnë në pension më të ulët nesër dhe se skema e re e pensioneve, që do të zbatohet nga janari 2015, vlerëson ato kompani dhe punonjës që paguajnë sigurimet shoqërore.
Veliaj paralajmëroi se Inspektorati i Punës do të tregohet i rreptë me ato kompani që nuk paguajnë sigurimet shoqërore për punëtorët e tyre, si dhe u bëri thirrje punonjësve të raportojnë raste të tilla pranë inspektoratit apo ministrisë.
Sipas tij, këto ndryshime në legjislacion i mundësojnë inspektoratit të punës që të ketë akses në vendet e punës dhe të sigurohet se të drejtat e punëtorëve respektohen, si dhe aty ku nuk respektohen të gjobiten.
Deklaratat e ministrit Veliaj u bënë gjatë një aktiviteti në një kompani private në Fushë Krujë me temë “1000 ditë pa aksidente në punë”./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





