

Tiranë, 21 nëntor 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama demonstroi sot se ai ka qenë i shqetësuar për krizën e gjatë politike në Kosovë që nga zgjedhjet e 8 qershorit. Për herë të par ënë këto gjashtë muaj, z.Rama ka folur publikisht sot, pikërisht pasi një natë më parë PDK dhe LDK arritën një marrëveshje, termat konkretë të të cilës ende nuk dihen.
“Më në fund ka dritë në fund të tunelit të një krize politike, relativisht shumë të gjatë, por aspak të panatyrshme për një demokraci të re në ndërtim”, – tha z.Rama në një dalje të posaçme për mediat mbi këtë zhvillim.
“Ne e mirëpresim këtë zhvillim pa asnjë anësi politike, por si shprehje funksionimi të dëshiruar demokratik”, – shtoi ai.
“Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë vendosur të merren vesh, jo për çfarë kanë dëshiruar para zgjedhjeve, por për çfarë imponon vullneti i popullit të Kosovës. Kjo është për t’u përshëndetur si kthim i partive politike në realitetin demokratik të vendit dhe vendosjen e tyre në dispozicion të një zgjidhjeje kushtetuese, e cila u rikthen frymëmarrjen e legjitimitetit popullor institucioneve të Kosovës, si dhe u jep një shenjë kuptimplotë të vullnetit të mirë qytetarëve të Kosovës, bashkësisë ndërkombëtare, jetës ekonomike dhe sociale të shtetit tjetër të shqiptarëve”; – nënvizoi z.Ra,a.
Ai tha se “koha do të flasë për rezultatet që një zgjidhje të tillë, sa e dhimbshme, po aq edhe e guximshme politikisht, do të sjellë për Kosovën, për ekonominë, për shoqërinë, por padyshim, edhe për dialogun me Serbinë”.
“Le të urojmë që Qeveria e dalë nga kjo zgjidhje e re do ta respektojë këtë vullnet edhe në frymë edhe në veprimin qeverisës, për të bërë reformat e mëdha, që një koalicion i madh ka jo vetëm mundësinë, por edhe detyrimin madhor të kryejë”, – vijoi Rama.
Në përfundim ai tha: “Qeveria e Shqipërisë mezi pret të fillojë punën e përbashkët me Qeverinë e re të Kosovës për të forcuar partneritetin tonë strategjik dhe për të vazhduar me një shpejtësi të re udhëtimin e nisur në mbledhjen e përbashkët të qeverive në Prizren, si dhe për të çuar përpara, bashkërisht, procesin historik të çelur në Konferencën e Berlinit, duke u bërë një model i përbashkët shqiptar, rajonal i zhvillimit, mirëkuptimit dhe integrimit ballkanik në Europë”. /a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





