

Tiranë, 21 nëntor 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama, deklaroi sot se në sektorin e bujqësisë kanë nisur reforma të rëndësishme për të bërë kthesën e madhe.
Ai tha se do të bëhet shumë më shumë për të inkurajuar sipërmarrësit që të kthejnë sytë nga bujqësia dhe të shikojnë tek ky sektor mundësitë e reja që janë krijuar dhe po krijohen për të investuar kapitale.
“Është koha për të nënvizuar me forcë se kërkesës për të ashtuquajturin subvencionim në bllok dhe masiv për naftën në prodhimin bujqësor i ka kaluar koha njëherë e mirë. Bëm përjashtim për serat dhe na dha rezultat konkret brenda vitit. Kjo sepse kjo skemë rrezikon që të kthehet në një vrimë të zezë spekulimi, por edhe pse në sajë të ndihmës konkrete do të ketë kthesë. Nafta në bujqësi është plotësisht e subvencionueshme por përkundër faturës, pa subvencionim paraprak, i cili nxit korrupsionin. Subvencionim paraprak nuk do të ketë më”, u shpreh Rama.
Ai tha se paratë e shpërndara deri më tani për buaqësinë janë dhënë në mënyrë kaotike, ndërsa shtoi se bujqësia vijonte të mbetej territor i varfërisë.
Sipas Kryeministrit vetëm në vitin e parë të qeverisë, është shënuar rritje në masën 26% për eksportet. Ai tha se kjo kthesë do të forcohet vit pas viti, ndaj bëri me dije se nën drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë është përgatitur një paketë mbështetëse për bujqësinë me 26 masa, të cilat kanë rezultuar të domosdoshme për ti dhënë frymëmarrje të re sektorit falë dialogut të zhvilluar në të gjithë territorin me njerëzit.
Rama deklaroi se projektbuxheti që që do miratohet në ditët në vijim, vlen jo vetëm për shumën por dhe për faktin që është një shumë që adresohet në funksion të një reforme të thellë strukturore që sapo ka filluar në sektor./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





