

Deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, biznesmen dhe pronar i disa mediave, kërkon publikisht që autoritetet shqiptare të legalizojnë hashashin. Z.Kokëdhima, duke folur sot në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë kërkoi që Shqipëria të licencojë prodhimin e kanabisit, duke evidentuar shembuj europianë ku tha se përdoret për industrinë farmaceutike.
“Qeveria jonë ka raportuar që ka shkatërruar 7.5 miliardë euro drogë dhe se prodhimi vjetor i kanabisit në Shqipëri ishte në një shifër shumë të lartë. Padyshim që një pjesë e këtyre të ardhurave, një shifër disafish më e madhe sesa shifra tejet modeste që parashikon buxheti ynë i vitit 2015 për subvencione e investime në bujqësi, ishte e destinuar për bujqit që merreshin me prodhimin e kanabisit. Ndëshkimet penale nuk janë zgjidhje e vetme për të gjithë këta bujq që nuk kanë gjetur një rrugë tjetër për të nxjerrë jetesën e tyre. Zhvillimi për këto zona duhet të ishte një alternativë dhe një motivim i mirë që këta njerëz të mos ëndërrojnë më për kanabis dhe të mos na shohin ne si shkatërruesit e jetës dhe të punës së tyre”, – tha Kokëdhima.
Ai i drejtoi një pyetje mbi këtë argument, ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, i pranishëm në mbledhje: “A ka një plan real ministria juaj për të zhvilluar me përparësi zonat e hartës së djeshme të kanabisit, të cilat e kishin kanabisin të vetmen rrugë jetese?
Së dyti, kanabisi që prodhonin ilegalët e lirë në Shqipëri, padyshim që eksportohej në Europë. Por unë dua të kujtoj që në Europë, në Itali, Holandë, etj., ka shumë prodhues kanabisi apo opiumi me licenca dhe leje nga shtetet, për interesa farmaceutike, të cilët paguajnë taksa. Në shumë vende të botës së zhvilluar prodhohen bimë të tilla me leje e licenca. Në Europë tashmë njihet varianti shqiptar i kanabisit, i prodhuar nga kjo veprimtari ilegale në Shqipëri, një kanabis shqiptar që ka karakteristikat dhe vlerat e veta në treg. A keni menduar juve që ta ruani këtë vlerë dhe të liçensoni për eksport, për industrinë farmaceutike një prodhim të arsyeshëm fermerësh vendas që të paguajnë taksa dhe të zhvillojnë këtë veprimtari nën kontrollin e plotë të shtetit? A mund të rishikoni ju legjislacionin për këtë çështje? “
Pas kësaj pyetjeje të gjatë, z.Kokëdhima bëri komentin e vet: “Fshatarët që kanë kultivuar kanabis nuk janë kriminelë. Këta fshatarë janë pragmatistë. Ata nuk entuziazmohen nga planet tona afatgjata dhe afatmesme të zhvillimit të bujqësisë. Ata kanë nevojë për punë, ushqim, para, shëndet, siguri jete e ekonomike sot”. /a.d/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





