Transmetuar më 20-11-2014, 16:23

Nga Ambasador Florian Raunig

Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

Transmetuesi Kombëtar Shqiptar RTSH

Po flasim këtu për transmetuesin publik, jo për televizionet komerciale. Paratë rrjedhin nga qytetarët të cilët financojnë punën e transmetuesit kombëtar publik me të ardhurat e fituara me punë. Në këtë mënyrë, televizioni publik duhet së pari t’u jetë besnik qytetarëve dhe jo partive politike, bizneseve apo individëve. Nëse duam të na besojnë nuk duhet ta harrojmë asnjëherë këtë fakt.

Elitat politike në shoqëritë në tranzicion kanë prirjen ta nënvlerësojnë rëndësinë e sektorit të transmetuesit publik. Megjithatë, është shumë e rëndësishme të kuptojmë se modeli evropian i një mjedisi transmetimi të mirëbalancuar mbështetet në një balancim të kujdesshëm pushtetesh midis televizionit publik dhe atyre komerciale.

Ky ekuilibër siguron marrëdhënie të harmonishme midis interesave të caktuara politike apo ekonomike dhe interesit të qytetarëve, që shpesh përkufizohet si interesi i përbashkët. Vendet që po përpiqen të zhvillojnë më tej demokracinë duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë këtij modeli, të krijojnë një transmetues publik të qëndrueshëm nga aspekti ekonomik, me pavarësi redaksionale dhe profesionale, i cili kontrollohet nga publiku, financohet nga publiku dhe është bërë për publikun.

Është detyra ligjore e Kuvendit të Shqipërisë të zgjedhë e reja drejtuese të transmetuesit kombëtar publik. Në këtë kontekst, do të doja të theksoja rëndësinë e veçantë të integritetit personal, kompetencës profesionale dhe angazhimit të shëndoshë politik të ekipit drejtues dhe redaksional të RTSH-së.

Sigurisht që është një rrugë e gjatë përpara drejt realizimit të një qëllimi kaq ambicioz siç është besimi i publikut. Shkëmbimi i përvojave dhe puna e përbashkët për zhvillimin e mekanizmave specifike të llogaridhënies janë një pjesë e rëndësishme e procesit.

Ju sigurojmë se ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë jemi të gatshëm të mbështesim përpjekjet tuaja me sa të mundemi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit