Transmetuar më 20-11-2014, 15:20

Tiranë, 20 nëntor 2014, NOA.al- Për Partinë Demokratike buxheti i vitit 2015, për energjinë dhe bujqësinë është i pamjaftueshëm dhe plot mangësi.

Deputetët e Partisë Demokratike në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese shqyrtuan sot Buxhetin e vitit 2015, ku u shprehën këta sektorë të rëndësishëm kanë gjetur pak vend në buxhet.

Deputeti demokrat Sherefedin Shehu tha se shqiptarët po përjetojnë kthimin e territ energjitik, të cilin e kishin harruar që nga vitit 2005, mbasi filozofia e qeverisë demokrate ishtë që kostoja më e madhe është mungesa ose mospatja e energjisë elektrike.

Sipas tij, shkaku i përkeqësimit të situatës është përkeqësimi i menaxhimit i cili bie në sy si menaxhim politik dhe klientelist.

Shehu u shpreh se kthimi i territ lidhet edhe me politikën e qeverisë dhe të Kryeministrit Rama për t’u hakmarrë ndaj arritjeve të qeverisë demokrate, për tu hakmarrë ndaj qytetarve dhe për të rritur terrorin psikologjik tek qytetarët.

Deputeti demokrat deklaroi se aktualisht sektori energjitik është në kolaps dhe kjo për faj të keqqeverisjes, keqmenaxhimit të korporatës dhe sistemit të shpërndarjes e transmetimit të energjisë elektrike, dhe kësaj iu shtua edhe zgjidhja klienteliste që u bë me ish kompaninë CEZ shpërndarje.

Në vijim u shtua se Qeveria do të rrisë çmimin e energjisë elektrike dhe se flitet se do të jetë 12 lekë kv/h i cili është 70% më i lartë se sa çmimi ekzistues për shtresat e ulta dhe të mesme që konsumojnë deri më 300 kv/h.

Nga ana e tij deputeti Gjergji Papa tha se buxheti nxjerr në pah gjithë mashtrimet e qeverisë për bujqësinë.

“Bujqësia është sektori që akuzon më shumë se çdo gjë mashtrimin elektoral të Partisë Socialiste. Buxheti i vitit 2015 për sektorin Bujqësor dhe Zhvillimin Rural në tërësi ka vetëm propagandën ndaj fshatit dhe fermerëve dhe pothuajse asnjë aksion konkret për të ndihmuar realisht prodhimin bujqësor vendas. Eshtë viti i dytë që nuk po mbahet asnjë nga premtimet e bëra me aq bujë në programin elektoral të koalicionit të majtë  për mbështetjen e sektorit bujqësor dhe industrinë agroushqimore”, u shpreh Papa.

Ai kujtoi se u premtua me bujë se zhvillimi i bujqësisë dhe zonave rurale në Shqipëri do të jetë një prioritet dhe se fondet për sektorin bujqësor dhe agroindustrinë do të pesëfishohen por buxheti për bujqësinë për vitin 2015, krahasuar me vitin 2014, është vetëm disa përqind më i lartë dhe s’bëhet fjalë për shumëfisha si kundër është premtuar në programin elektoral.

Në këtë linjë ai tha se Qeveria reklamoi me bujë rritjen e fondeve për skemat mbështetëse duke nxitur fermerët që të aplikojnë, por papritmas në fund të muajit shtator të vitit 2014 reduktoi buxhetin për subvencionin me 4 milionë dollarë më pak, ose 25% më pak, duke lënë jashtë mbështetjes mijëra fermerë të cilët me para të marra borxh kishin investuar me shpresë se do përfitonin mbështetje.

Papa shtoi se strukturat dhe aktivitetet e parashikuara për mbështetjen përjashtojnë  tërësisht fermerin për shkak se është hequr dorë nga shtimi i sipërfaqeve të mbjelljeve në fushë dhe ambjente të mbrojtura.

“Tendenca aktuale e Ministrisë së Bujqësisë për të ndryshuar kahun e financimit nga pagesa direkte për hektarë të sipërfaqes së mbjellë me ullinj, pemë frutore ose agrume, drejt financimit të ngritjes së kapaciteteve  grumbulluese, ruajtëse dhe përpunuese, pa një studim paraprak fizibiliteti i cili do të përcaktonte sasinë e lëndëve të para, kapacitetet  ekzistuese të instaluara si dhe potencialet prodhuese të zonës është tërësisht e gabuar madje rrezikon frenimin e prodhimit bujqësor si dhe shpenzimin e fondeve në mënyrë jo efikase”, tha Papa.

Deputeti i Kozma Dashi u ndal në skemën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ai u shpreh se ata që konsumojnë më pak, që janë mbi 76% e shqiptarëve, kanë për të paguar më shtrenjë, madje deri në 70% më shumë. Sipas tij, familjet që konsumojnë deri në 300 kilovat, që përbëjnë 76% të konsumatorëve, do e pagujanë në bllok 12.3 lekë kv çka nënkupton një rritje dramatike për këto familje.

“Çmimi tani do jetë 12.3 lekë kilovatori, një rritje katastrofike prej 70%. Shqiptarët e ndiejnë tashmë në mënyrë të prekshme që në janar të 2015-ës fatura e energjisë nuk do të jetë më e vagullt, por pak të quhet “e kripur”. Dhe kjo do të futet në të gjithë zërat e prodhimit”, tha Dashi. Më tej ai theksoi se qeveria nuk po stimulon investimet në energji, ndonëse deri tani koncensionarët japin deri në 13% të prodhimit dhe kanë investuar më shumë se 300 milionë euro në këtë fushë”, tha Dashi.

Deputeti Helidon Bushati, lidhur me përmbytjet e fundit në zonën e Veriut të Shqipërisë, kryesisht Lezhës, kujtoi premtimet e Ramës se brenda dy viteve të para të qeverisjes së tij, në mënyrë absolutet, do të parandalonte përmbytjet.

“Ndodh që në vitin 2014 ishin parashikuar investime në Qarkun e Shkodrës, në zonën veriore, 20 milionë dollarë vetëm në diga dhe argjinatura, për efekt parandalues të përmbytjeve dhe nuk është realizuar as 10% e këtij premtimi. Në projektbuxhetin e vitit 2015, po luhet shumë me shifra pa i detajuar ato në projekte duke krijuar një terr informativ edhe për monitorimin e këtyre projekteve”, u shpreh Bushati./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit