Transmetuar më 20-11-2014, 12:27

Elbasan, 20 nëntor 2014, NOA.al- Deputetët e Partisë Demokratike analizuan buxhetin e qeverisë në Cërrik, duke thënë se në këtë vend papunësia është mbi 40%.

Deputetët demokratë të Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale zhvilluan takim me banorët e Cërrikut në qarkun e Elbasanit. Kryetarja Komisionit të Çështjeve Sociale Albana Vokshi tha se e gjithë shoqëria ndjen presion, frikë dhe pesimizëm nga shteti policor i Ramës.

“Priten dritat, prishen shtëpitë, prehen mijëra gjoba  në emër të shtetit ligjor. Por në fakt kjo është qeverisja dhe mazhoranca e terrorit, është politika e errësirës dhe fikjes së shpresës. Buxheti 2015 është një terr i plotë transparence dhe mungesë konsultimi me grupet e interesit dhe grupet në nevojë, nuk ka parashikuar asgjë dhe asnjë fond investimi për Cërrikun dhe për Elbasanin në tërësi. Ky është buxheti që përgjysmon listën e ndihmës ekonomike, braktis gratë dhe njerëzit në nevojë diskriminon romët dhe egjiptianët, braktis nevojat e të persekutuarve politik dhe pronarëve”, u shpreh Vokshi.

Ajo tha se deputetët e PD-së do të depozitojnë një sërë amendimesh për ti ardhur në ndihmë shtresave në nevojë në kushtet e krizës si për shembull, faljen e kamatvonesave në energjim ndërsa shtoi se vetëm protesta do shkundë qeverinë të drejtojë sytë nga qytetarët.

Deputetja Jorida Tabaku tha se kjo është e vetmja qeveri në historinë e demokracisë që ka humbur moralin që në ditët e para të qeverisjes.

Ajo tha se qeveria dhe mazhoranca nuk mendon për shqiptarët, për njerëzit në nevojë por vetëm për interesat e saj. Duke i bërë një analizë taksave, papunësisë dhe listave të asistencës, Tabaku tha se Rama mashtroi kur tha se kishte projekte të mëdha zhvillimi për Cërrikun.

Dëmshpërblimi i ish të burgosurve është 10 herë më pak, u shpreh deputetja Tabaku ndërkohë që shtoi se për zyrat e punësimit janë akorduar 20 milionë dollarë, por punë nuk ka.

Sipas saj, në janar 2015 me reformën në pensione nuk do të ketë as pension minimal dhe çmimi i energjisë rritet 70 përqind, ndërkohë që kompensimi është i papërfillshëm.

Në fjalën e tyre deputetët Arben Imami dhe Adrian Turku thanë se ky buxhet thellon krizën dhe redukton fondin e asistencës në minimum.

“Asnjë grup social  i rrezikuar dhe në nevojë nuk merr asnjë shpresë nga buxheti Ramës. Kjo qeveri është antipopullore dhe punon vetëm për favorët e saj dhe interesat klienteliste”, tha Imami.

Deputetët demokratë siguruan se Partia Demokratike po i bën një opozitë historike dhe dinjitoze buxhetit të krizës dhe ftuan pjesëmarrësit në protestën e 22 nëntorit si alarmi i këmbanave për qeverinë që po zhyt vendin në krizë.

Gjatë bashkëbisedimit qytetarët kërkuan nga qeveria të dëgjohen hallet e tyre dhe jo të jetojnë në mëshirë të fatit pa asnjë përkrahje dhe asnjë vëmendje qeveritare.

Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Servet Duzha tha se 40 përqind e popullsisë në Cërrik janë të papunë, 200 familje janë nxjerrë pa shkak dhe me diskriminim nga lista e ndihmës.

“Ka me qindra familje rome dhe egjiptiane të pastreha, pa bukën e gojës dhe pa burime jetese. Në Bashkinë e Cërrikut ka edhe një numër të konsiderueshëm vajzash dhe grash të divorcuara të papuna dhe Bashkia nuk siguron dot fonde ndihme dhe punësim për ta”, deklaroi ndër të tjera Kryetari i Bashkisë./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit