




Ishte rebeluar ndaj martesës së kombinuar nga prindërit e saj dhe kishte vendosur që të martohej në fshehtësi, me një djalë të një kaste tjetër. Por për këtë arsye prindërit e saj e vranë.
“The Hindustan Times” shkruan se krimi ndodhi në zonën e Dwarka, në Indi. Prindërit, Jagmohan dhe Savitri Yadav e dogjën pas vrasjes trupin e së bijës, duke thënë se kishte gjetur vdekjen për shkak të kafshimit nga një gjarpër.
Viktima është identifikuar si Bhawna, një studente mjekësie e moshës 21 vjeçare, e cila pas pak ditësh duhet të martohej me “të përzgjedhurin” e prindërve të saj, siç ndodh në shumicën e familjeve tradicionale indiane.
Duke refuzuar këtë lloj martese, ajo kishte vendosur që të martohej në fshehtësi me të dashurin e saj, një programues informatik, të cilin e kishte njohur para dy vitesh në një festë. Martesa mes tyre ishte celebruar më 12 nëntor në tempullin e Connaught Place, qendër shumë popullore e zonës.
“Vendosën që të martoheshin në fshehtësi, duke shpresuar se familja më në fund do të pranonte zgjedhjen e tyre”, tha një mik i çiftit.
Por përballë kësaj ngjarje, prindërit e vajzës shkuan në familjen e dhëndrit të ri, ku duke u shtirur sikur e pranonin dasmën, e morën Bhawna në familjen e tyre, duke thënë se do organizonin një festë për martesën.
Por me marrjen e 21 vjeçares në shtëpi, ata nisën ta rrihnin për prishjen e nderit të familjes dhe më tej, pas refuzimit të kërkesës prej saj për divorc, bashkëshortët e mbytën. Pas kësaj ata e hodhën kufomën e vajzës në një makinë dhe e çuan në Alwar, të Rajasthan, duke thënë se ishte kafshuar nga një gjarpër dhe se donin ta shpëtonin. Në kthim iu treguan banorëve të zonës se vajza kishte vdekur dhe më tej e dogjën kufomën. Ndërkohë bashkëshorti i saj, Abhishek, denoncoi zhdukjen e Bhawna duke bërë që të zbulohet gjithë skena e krimit makabër./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





