Transmetuar më 19-11-2014, 19:37

Ndryshimi i trajnerit ishte një zgjedhje e vështirë por e paevitueshme. Që nga Indonezia, presidenti i Interit, Erick Thohir shpjegon motivet qe e detyruan të largonte walter Mazarrin për t’ja besuar stolin zikaltër Roberto Mancinit.

“E shqyrtuam këtë vendim për 2-3 ditë, pastaj arritëm në këtë konkluzion. Mazzarri gjithsesi mbetet një trajner i shkëlqyer, një prej më të mirëve në Itali. E kam vlerësuar shumë punën e tij në 17 muajt që qëndroi te Interi, dhe për situatën aktuale nuk është faji i një njeriu të vetëm”.

Gjithsesi Thohir nuk mund ta linte t’i ikte nga duart mundësia për të firmosur me Mancinin, një njeri sipas tij ambicioz dhe që e njeh mirë ambientin pasi ka fituar 7 tituj në drejtimin e Interit nga 2004 deri në 2008 me presidentin që është i sigurt për entuziazmin që do të sjellë trajneri i ri. Thohir madje rrëfen madje se Mancini u angazhua edhe për derbin e kësaj të diele me Milanin.

“Ishte pjesë e përllogaritjeve, e thërritëm Mancinin pikërisht gjatë pauzës së kombëtareve. Pastaj pas derbit na presin ndeshja me Dnipro në EuropaLeague dhe sfida me Romën. Një sfidë jo e lehtë për të por sigurisht që do të japë maksimumin për të na sjellë rezultate pozitive”.

Pavarësisht ndryshimit në stol, objektivat e Interit nuk janë ridimensionuar, ata mbeten të njëjtët.

“Synojmë të arrijmë kualifikimin në kompeticionet europiane. Nuk kërkoj heroizma, do t’i jap Mancinit gjithë kohën e mundshme për të ndërtuar këtë skuadër në mënyrë që të arrijë nivelin ideal. Mancini e di me saktësi se cfarë duhet të bëjë”.

Thohir i bëri një apel publikut zikaltër që si pjesë e familjes të mbështesë skuadrën ndërkohë që foli dhe për merkaton e janarit.

“Të gjitha mundësitë mbeten të hapura. Presim se cfarë kërkesash do të na bëjë Mancini. Gjithsesi duhet të bëjmë kujdes edhe për stabilitetin financiar të klubit, që është po kaq i rëndësishëm”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit