Transmetuar më 19-11-2014, 17:06

Përballja me Partizanin në kuadër të javës së 13 të kategorisë superiore është vlerësuar si ndër më të rëndësishmet e sezonit në kampin kuksian.

Për këtë arsye, për takimin e kthimit të Kupës së Shqipërisë me Pogradecin, drejt Kukësit ka udhëtuar formacioni i dytë nën drejtimin e zëvendëstrajnerit Edmond Dalipi.

Ndërsa Artim Shaqiri vijoi përgatitjet në ish-kompleksin Dinamo me një grup të cunguar prej 14 futbollistësh, por që përbëjnë bërthamën e ekipit.

Trajneri  41-vjeçar kërkon të minimizoje presionin mbi lojtarët e tij, duke e konsideruar përballien me të kuqtë si takimin e radhës, që duhet të shërbejë për të ruajtur pozicionin në krye të renditjes, citon Supersport.

"Nuk mund të them se është ndeshja më e rëndësishme e sezonit, sepse për ne çdo takim është si finale.

Ne tashmë jemi në krye të renditjes dhe më e vështirë është ta mbash këtë pozicion, ndaj kërkohet maksimumin në çdo sfidë".

Në fazën e parë në "Zeqir Ymeri", Partizani mori maksimumin e pikëve falë golit të Racic nga goditja e lirë, humbje që ende djeg te skuadra e Kukësit.

Përtej rezultatit që do të prodhojë fusha e blertë, Shaqiri beson se Partizani – Kukësi do të jetë një ndeshje e bukur që do të kënaqë tifozët e shumtë të të dyja skuadrave.

"Ndeshja ndeshjes nuk i ngjan. Në fazën e parë Partizani na ndëshkoi me një goditje standarde, edhe pse ne dominuam në lojë.

Shpresoj që ato pikë që humbën në fushën tonë, t’i marrim këtu në Tiranë. Shpresoj që të zhvillohet një ndeshje e bukur edhe për tifozët e shumtë që do të jenë në stadium".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit