Transmetuar më 19-11-2014, 16:52

Refik Halili është zyrtarisht president dhe administrator i Tiranës. Me përfundimin e procesit të privatizimit të klubit kryeqytetas, Halili ka marrë 66% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër mbetet në pronësi të Bashkisë.

Në një konferencë për shtyp në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”, Halili siguroi se brenda një kohe të shkurtër klubi do të funksionojë me një strukturë të re me rreth 20 deri 22 punonjës, ndërsa kujtoi se problemi më i madh për momentin mbetet shlyerja e borxheve të akumuluara ndër vite, çështje për të cilën është ende në bisedime me Bashkinë.

"Tani për Tiranën nis një epoke e re. Në bazë të ndarjes së aksioneve që janë regjistruar në QKR unë kam 66% të aksioneve. Së shpejti do të zyrtarizojmë edhe strukturën e re që nuk do të ketë më shumë se 22 punonjës.

Me Bashkinë jemi në bisedime edhe për ndarjen e borxheve, sepse fatkeqësisht Tirana ka trashëguar shumë borxhe nga keq menaxhimi në të kaluarën".

Duke folur për projektin e një Tirane të madhe, Halili tha së vëmendja do të përqendrohet në mënyrë urgjente te Akademia, duke i besuar modelit të Dinamos së Zagrebit.

"Vëmendja kryesore do të shkojë për akademinë, për të ndërtuar një klub model si Dinamo e Zagrebit. Do të prodhojmë shumë talente që do të furnizojnë skuadrën e parë".

Presidenti i Tiranës sqaroi se është i hapur për të afruar aksionerë të rinj, ndërkohë që siguroi se brenda një kohë të shkurtër do të zyrtarizohet marrëveshja me një sponsor të fuqishëm.

"Unë jam i hapur për afrimin e aksionerëve të rinj. Mund t’ju siguroj se do të kemi edhe një sponsor të fuqishëm, por emrin do ta zbulojmë kur gjithçka të ketë përfunduar".

Përsa i përket mundësisë së rikthimit të tifozëve në stadium, Halili tha se do të ketë një takim me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë, citon Supersport.

Në lidhje me investimet e mundshme në stadiumin Selman Stërmasi, që do të jetë për 18 vjet në përdorim nga Klubi, Halili dha idenë e një bashkëpunimi edhe me instancat shtetërore, për ndërtimin e një impianti modern.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit