Transmetuar më 19-11-2014, 11:40

Durrës, 19 nëntor 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ndal në qytetin e Durrësit ku u takua me banorë që vuajnë nga papunësia dhe varfëria.

Basha u njoh me shqetësimet e banorëve për rënien e fuqisë blerëse, pamundësinë për të përballuar nevojat më elementare, papunësinë që sa vjen dhe rritet, prishjet abuzive të banesave, mbifaturimet e energjisë, mungesën e subvencioneve, e shtrenjtimin e shërbimeve shëndetësore.

“Jeta jonë këtu është skandal fare”, thotë një banor. “Punë jo, taksat të larta, çmimi i energjisë ngrihet kurse ne s’kemi lekë të hamë bukë sot”, shprehet një qytetar tjetër,

“Si mund të paguaj korrentin unë pa punë, si mund të paguaj ujin pa punë unë?”

“Jam vetë i gjashtë, 3 fëmijë kam në shkollë. Kam marrë borxh me çu fëmijët në shkollë e s’kam ku me i marrë. I kam fëmijët edhe pa bukë sot”, shprehet një banor i revoltuar.

“Ky tha që do bëjmë subvencionim për bujqësinë. Asnjë send, karburanti fare, njerëzve u ka thënë do bëj subvencionim. Për blegtorinë fare. Tha do bëjmë legalizime falas, ka bërë shkatërrime falas, jo legalizimet”, pohon një banor i Durrësit.

“Mashtroi për shërbimin shëndetësor. S’bëri asgjë”, ankohet një qytetar.

Një tjetër banor i tha Bashës, se është detyruar t’i ndërpresë fëmijës shkollën e lartë, për shkak të pamundësisë për të paguar tarifat e dyfishuara në universitete. Fajtore për këtë situate, kryetari i Partisë Demokratike, bëri rritjen e taksave.

“Qeveria nuk ka reflektuar për impaktin e tyre por ka vendosur t’i rrisë sërish ato”, deklaroi Basha.

“Përpara 23 qershorit dilte nëpër ca dyqane, thoshte kaq, kaq, lista është aq. A e di ky zotni që lista nuk është me aq por është katërfishuar”, rrëfen një qytetar.

“E kam një fëmijë në shkollë të lartë, sivjet s’kam mujt me e çu për punë të pagesës. U rritën tarifat e shkollës 160 vjet, 270 mijë sivjet”, ankohet një prind.

“Nuk ka asnjë arsye tjetër që ekonomia shqiptare të jetë në këtë gjendje përveç rritjes së taksave dhe pasigurisë juridike që ka krijuar me dhunën dhe arbitraritetin e saj. Tani do i rrisë prapë. Çdo kryefamiljari i kërkohet të paguajë 670 mijë lekë në vit më shumë taksa, ndaj protesta e 22 nëntorit ndryshe nga çdo protestë tjetër nuk është protestë politike, është protestë ekonomike”, tha kryedemokrati./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit