Transmetuar më 19-11-2014, 12:57

Tre persona humbin jetën nga përmbytjet

Tre persona kanë gjetur vdekjen si pasojë e përmbytjeve dhe motit të keq në të gjithë vendin. Babë e bijë kanë humbur jetën në Laç, teksa makina me të cilën udhëtonin mbrëmjen e djeshme e ka marrë rrjedha e ujit.

Një makinë ku udhëtonin babë e bijë ka dalë nga rruga si pasojë e reshjeve të shumta të pasdites së të martës.

Ngjarja ndodhi në rrethinat e qytetit të Laçit rreth orës 20.30 minuta, kur mjeti më të cilin udhëtonin është përpirë nga ujërat. Makina është marrë nga rrjedha e ujit si pasojë e reshjeve të rëna, raportoi korrespondenti i noa.al.

Banorët e zonës gjetën automjetin e tyre të përmbysur në një fushë të përmbytur në afërsi të ish komunales në Laç dhe brenda tij trupin e pajetë të 60 vjeçarit Gjon Kola. Ndërsa një orë pas mesnatës duke gdhirë dita e sotme, është gjetur trupi i pajetë i vajzës së tij 26 vjeçare, Dorina Kola.

Vajza është gjetur rreth dy kilometër më larg nga vendi ku makina me të cilën udhëtonin babë e bijë u vu përpara nga rrjedha e ujit.

Ndërkohë viktima e tretë është një djalë 21 vjeçar, Liman Balloku. I riu ka humbur jetën në fshatin Gallatë të Kurbinit si pasojë e shembjes së një ure, gjatë kohës që udhëtonte me motor me një djalë tjetër, çka ka bërë që trupin e tij ta rrëmbejë rrjedha e ujit.

I riu Liman Balloku gjeti vdekjen pas shembjes së urës. Kurse shoku i tij 15-vjeçar G.N. banues në Malbardhë, Kurbin, që gjendej me 21-vjeçarin në motor, arriti të dalë i gjallë nga uji.

Policia tha se 15-vjeçari ishte duke drejtuar motorin, kurse 21-vjeçari Liman Balloku, banues në Vinjollë, Kurbin, ishte pasagjer i tij.

Tiranë, 19 nentor 2014, NOA.al- (Botuar 19 nëntor 2014, 08.15/ Përditësuar më 12.57) Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, informoi lidhur me situatën e përmbytjeve si pasojë e reshjeve të rëna 24 orët e fundit, duke thënë se situata po shkon drejt normalizimit.

Në një dalje nga Kryeminisitria Peleshi shprehu ngushëllimet për tre viktimat, ndërsa informoi se menjëherë pas kësaj situate u ngrit grupi koordinator në Kryeministri për të vlerësuar nevojat dhe për të përcaktuar masat për përballimin e situatës.

Ai tha se në përbërje të grupit koordinator janë Ministria e Punëve të Brendshme; Ministria e Energjisë dhe Industrisë; Ministrja e Mbrojtjes; Ministria i Bujqësisë dhe Ministria e Shëndetësisë.

Ndërsa vlerësoi Lezhën si qarkun më problematik dhe të dëmtuar, Peleshi tha se situata po shkon drejt normalizimit dhe se reshjet e dendura kanë përfunduar rreth orës 01.00 pas mesnate.

“Në nënstacionin e Lezhës u arrit që me punën intensive të forcave të zjarrfikësve, të KESH-it dhe OSSH-së të largohen ujrat dhe të rilidhet energjia për të gjithë operatorët si të Hidrovoreve, ashtu edhe të njësive vendore. Në të gjithë qarkun e Lezhës situata është normalizuar edhe po punojnë intensivisht forcat dhe mjetet e Bordit të Kullimit për largimin e ujrave nga tokat bujqësore. Mjete zjarrfikëse, po vazhdojnë largimin e ujrave nga banesat e përmbytura. Sot në orën 10:00, nën drejtimin e Prefekti të Lezhës është kryer një takim tjetër të Komisionit të Emergjencave të qarkut për të analizuar gjëndjen e krijuar pas rivënies në punë të hidrovoreve dhe pompave në Balldre, Shëngjin dhe Lezhë si dhe marrjen e masave për dhënien e ndihmës banorëve të cilët ju prekën banesat nga përmbytja”, u shpreh Peleshi.

Ai tha se në komunat Balldren, Blinisht dhe Shëngjin, reshjet kanë pushuar dhe situata është drejt normalizimit për shkak të largimit të ujrave nga puna e hidrovoreve me kapacitet të plotë të pompave thithëse.

Peleshi informoi se për normalizimin e situatës në Lezhë operuan 80 trupa ushtarake për bllokimin e ujrave që futeshin si dhe dhjetra mjete për pastrimin e ujrave, ndërsa shtoi se këto forca vendosën edhe barriera në disa biznese dhe banesa për të mos lejuar përmbytje.

Sipas tij, është paraqitur një situatë problematike lidhur me furnizimin me ujë të Spitalit Rajonal të Lezhës, problem i cili tani është adresuar plotësisht duke garantuar ujin e pijëshëm nëpërmjet autoboteve deri në normalizimin e situatës.

Numri dy i qeverisë tha se kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore po bëjnë vlerësimet e dëmeve nëpërmjet Komisioneve të Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile dhe po raportojnë për masat e marra në rivendosjen e normalitetit në territoret e njësive që kanë përgjegjësi.

Situata sipas qarqeve e prezantuar nga Peleshi

Në qarkun e Tiranës, reshjet janë ndërprerë në orën 24:00 dhe situate është normalizuar. Zjarrfikëset po punojnë për largimin e inerteve dhe ujrave në disa banesa njëkatëshe dhe në katet e para të pallateve sin ë rrugën Don Bosko, Komuna e Parisit, Medar Shtylla, Kombinat, Kodra e Priftit, Sami Frashëri, etj.

Në Paskuqan dhe Laknas është normalizuar situata dhe po punohet për adresimin e atyre problemeve që paraqiten në disa toka bujqësore që janë përmbytur nga reshjet.

Qarku Fier. Në qarkun e Fierit ka patur probleme në një fshat të komunës Libofshë dhe 3 fshatra të komunës Allkaj ku ka patur prezencë uji në disa banesa dhe përmbytje vetëm në 5 prej tyre. Familjarët në këto banesa fillimisht u evakuuan emë pas u punua për largimin e ujit.

Qarku Gjirokastër. Në këtë qark ka patur reshje por jo intensive dhe nuk pati përmbytje. Në rrugën hyrëse të qytetit të Gjirokastrës inertet që zbritën nga pjesa e kalasë bllokuan rrugën kryesore dhe që në orët e para të mëngjesit po punohet intensivisht për hapjen e saj.

Qarku Durrës. Nga reshjet e rëna në qytetin e Durrësit ka patur probleme në në rrethrrotullimin e Shkozetit, rrugën e Currilave, rrugën e Kënetës dhe në afërsi të Portit. Në mëngjes situata është normalizuar.

Qarku Shkodër, Elbasan, Korça, Vlora, dhe Gjirokasta nuk kanë paraqitur probleme me reshjet e shiut.

Ndërkohë që Grupi Koordinator do të vazhdojë të ndjekë situatën nga afër deri në adresimin e plotë të gjitha problemeve të shfaqura.

Pamje nga aksidenti fatal i ndodhur në Laç

Kodheli e Tahiri në Lezhë

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, kanë vizituar qytetin e Lezhës, si qyteti më i prekur nga përmbytjet e natës së lënë pas.

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri mblodhi Shtabin për Emergjencat në qarkun e Lezhës, një nga më të prekurit nga rreshjet e shiut që ranë mbrëmjen e së martës. Pas takimit në Prefekturën e Lezhës me drejtues vendorë, Tahiri tha se Shtabi i Emergjencës në këtë qark ka bërë një monitorim të kujdesshëm të të gjithë infrastrukturës së emergjencës.

“Në zona specifike ka probleme të cilat mbeten për t’u adresuar. Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë, Forcat Speciale po ashtu, infrastruktura spitalore po ashtu, ushtria po ashtu, për të shmangur më së pari, çdo pasojë fatale në jetë njerëzish dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që do kërkojnë ndihmë, si pasojë e emergjencave potenciale në të ardhmen. Mbetet për të adresuar çështje që kanë të bëjnë me infrastrukturën e shmangies së rrezikut në pika të caktuara të nxehta në qarkun e Lezhës. Ashtu siç mbetet për të parë në vijim investime të cilat duhet domosdoshmërisht të zgjidhin një situatë, që nuk është zgjidhur në 20 e kusur vjet, duke na detyruar të gjendemi në këtë situatë”, u shpreh Tahiri.

Ai i’u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të kuptojnë nivelin e alarmit në raste të tilla, të kuptojnë nivelin e rrezikut në raste të tilla dhe nga njëra anë të tregohen të kujdesshëm, nga ana tjetër t’i shfrytëzojnë këto momente si dëshmi e shpirtit të solidaritetit për t’u gjendur të gjithë përballë dhe për të marrë të gjithë bashkë masa që këto situata të shmangen në mënyrën maksimale.

Ministrja Kodheli, duke folur për këtë situatë,  u shpreh se, është një sistem i tërë që nuk funksionon, por se po marren një varg masash jo vetëm për përballimin e kësaj situate, por edhe që në të ardhmen situata të tilla të shmangen dhe të mos pësëriten. Ministrja Kodheli ka urdhëruar që nga Forcat e Armatosura të punohet 24 orë deri në normalizimin e situatës dhe nisjen e procesit mësimor në ato shkolla që janë mbyllur.

Në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës në prefekturën e Lezhës, ajo u shpreh se Forcat e Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes kanë qenë dhe janë  në mbështetje të Policisë së Shtetit, pushtetit vendor dhe emergjencave civile.

Ajo i ka bërë thirrje banorëve të këtij qarku që të bëhen solidarë dhe të kontribuojnë në pastrimin e zonave të prekura nga përmbytjet, ndërsa ka kërkuar nga strukturat e autorizuara dhe media që të na ndihmojnë duke njoftuar me qëllim që të jenë prezentë kudo ku ka nevojë.

Bashkia e Tiranës, informon për situatën e përmbytjeve

Bashkia e Tiranës informon lidhur me situatën e përmbytjeve në kryeqytet, duke thënë se gjatë ditës së sotme situata paraqitet e stabilizuar. Shirat e rrëmbyer të një nate më parë kanë shkaktuar probleme serioze në rrugë, shtëpi dhe biznese. Shtabi i emergjencave të Bashkisë së Tiranës është mbledhur menjëherë me rritjen e intensitetit të reshjeve mbrëmjen e djeshme dhe ka përcaktuar detyrat për të gjitha ndërmarrjet dhe Policinë Bashkiake. 450 punonjës të Bashkisë dhe Policisë Bashkiake kanë qenë gjatë gjithë kohës në terren.

Zonat më problematike kanë qenë: Shkoza; Rruga e “Elbasanit”; Sheshi “Skënderbej”; Rruga e “Durrësit”; Rruga e “Kavajës”; Pallati me Shigjeta; Rruga “Don Bosko”;Rruga “Siri Kodra”; Laprakë; Bregu i Lumit; Kombinat

6 mjete të grupeve të gatshme të Policisë Bashkiake dhe karroatrecë u instaluan  pranë çdo zone. Janë angazhuar gjithsej 220 forca të Policisë Bashkiake të cilët u kanë ardhur në ndihmë përdoruesve të automjeteve të cilët kanë pasur vështirësi qarkullimi dhe probleme teknike, për shkak të nivelit të lartë të ujit.

Dalja e lumit të Lanës nga shtrati ka sjellë përmbytje në zonën e Pallatit me Shigjeta dhe në Shkozë. Në bashkëpunim me Ujësjellësin dhe shërbimin zjarrfikës është ndërhyrë për të larguar ujin. Prezencë uji ka pasur ne qindra shtëpi dhe biznese.

Sot është ngritur komisioni i verifikimit të dëmeve nga Bashkia e Tiranës dhe do të nisë menjëherë verifikimi i tyre, për t’ia më pas shtabit qendror të emergjencave, për të kryer dëmshpërblimin. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo ka inspektuar sot të gjitha zonat me probleme në Tiranë.

“Në Urën e Shkozës dhe sipër tek banesat sociale ku ndodhen edhe përmbytjet më të mëdha i kemi kërkuar ndihmë Prefektit, pasi ka nevojë për mjete të specializuara. Pikërisht në këtë urë, po ta shikoni kërkohet që të ndërhyhet me mjetet e bordit të kullimit, eskavatorë me krahë të gjatë, pasi siç e dini Bashkia nuk disponon mjete të tilla. Emergjencat Civile menaxhohen e monitorohen nga një organ tjetër. Shpresojmë që t’i kemi këto mjete, kam kërkuar ndihmën e Prefektit edhe tek shkolla e Hoteleri-Turizëm ku duket që ka përmbytje, edhe sipër të “Androkli Kostallari” e banesa të tjera. Na duhen zjarrfikëset të cilat të fillojnë të pompojnë ujin, bashkë me botin e Bashkisë por në fakt ato bote që kemi i kemi të shpërndara në pikat më të nxehta. Kjo është situata. Prej reshjeve dhe shirave shumë të mëdha e në të njëjtën kohë edhe prej prurjeve të dheut. Kësaj radhe shiu ka ardhur me dhe, kemi pasur rrugë të bllokuara tek “Misto Mame”, në Kombinat, këto kanë mundësuar bllokimin e kolektorëve. Çdo kolektor në Tiranë është tashmë i bllokuar, kolektorë zgara është punuar deri në 5.00 të mëngjesit për t’i zhbllokuar”, u shpreh Bozdo.

Ai tha se Bashkia e Tiranës ka tashmë një projekt të cilin ia ka dorëzuar që para dy vitesh qeverisë shqiptare, për rikuperimin e të gjithë shtratit të Lanës dhe urës së Shkozës, duke shtuar se është lidhur kontrata vitin e kaluar me Autoritetin Rrugor, dhe janë fonde të alokuara të qeverisë, por financimi ka stopuar.

Ai kërkoi nga qeveria që të hapë menjëherë financimin, në mënyrë që përmbytje të tilla për ndryshimet klimaterike do ndodhin gjithnjë e më shpesh në Tiranë të mos verifikohen më.

“Së dyti, më duhet të them se për herë të parë pas 20 vitesh, ne nuk kemi më përmbytje në Bregun e Lumit të Tiranës, kjo për shkak të projektit të rikuperimit të lumit të Tiranës i cili gjithashtu është bllokuar nga qeveria qendrore por ne kemi mundur të zgjerojmë lumin në atë periudhë kohe që kemi punuar dhe kemi bërë edhe mbrojtjet anësore me 1 km të shtratit të lumit, duke e zgjeruar lumin. Pra, për herë të parë banorët e Bregut të Lumit, megjithë shirat jashtë mase të rrëmbyer, ndoshta më të rrëmbyerit që kanë rënë ndonjëherë në Tiranë nuk janë përmbytur”, tha Bozdo.

 Shkollat dhe kopshtet në të cilat paraqiten probleme:

“1 Qershori” – Pikon taraca, pjesa shtesë

“Androkli Kostallari – hyn shiu nga dritarja

“Bajram Curri” – Përmbytur oborri, hyjnë në shkollë ujërat e zeza të pusetave të ujrave të shiut

“Gjergj Fishta” – është përmbytur palestra

“Hasan Prishtina” – në bodrum është shtuar niveli i ujit

“Kongresi i Manastirit” – hyn uji i shiut nga dritarja

“Pal Ëngjëlli – pikon palestra dhe kati i tretë

“Xhezmi Delli” – pikon çatia

“Vasil Shanto” – mbushur palestra me ujë

“Partizani” – pikon te shkallet kur ka reshje

“Sandër Prosi” – pikojnë dy klasa

“Aleks Buda” – në tre klasa pikon tavani

“Abdulla Keta” – Oborri i mbushur me ujë

“4 Dëshmorët” – palestra e mbushur me ujë, (drejtoria, korridoret, në disa klasa është futur uji nga dritaret)

“Kol Jakova” – janë bllokuar tualetet

“Edith Durham” – pikon tarraca në pjesën më të madhe të klasave

“Shyqyri Peza” – Fusha sportive e mbushur me ujë, palestra pikon

“Fan Noli” – këndi sportiv është mbushur me ujë, dhoma e kaldajave është mbushur me ujë

“Dëshmorët e Lirisë” – lidhja e dy godinave rrjedh

“Kushtrimi i Lirisë” – janë bllokuar dy puseta

“Kongresi i Lushnjës” – bashkimi i dy godinave ka rrjedhje

Kopshti 24 – pikim në një grup

Kopshti 20 – hyrja e objektit e mbushur me ujë

Kopshti Sauk (godina e vjetër) – pikon e gjithë tarraca

Kopshti 40 – e sapo rikonstruktuar, pikon tarraca

Kop. 60 – pikon tarraca në të gjithë objektin

Emergjencat, mblidhet grupi koordinator në Kryeministri

Pas gjendjes së krijuar nga reshjet e dendura të shiut në disa zona të vendit, nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, u mblodh grupi koordinator në Kryeministri, i cili po ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Në përbërje të grupit janë: Ministri i Punëve të Brendshme; Ministri i Energjisë dhe Industrisë; Ministrja e Mbrojtjes; Ministri i Bujqësisë dhe Ministri i Shëndetësisë.

Prej disa orësh, në zonat e rënduara si pasojë e reshjeve të forta ndodhet Ministri i Bujqësisë, i cili po ndjek situatën në terren. Gjithashtu, në terren janë angazhuar forca dhe mjete logjistike të Ushtrisë, për t’i ardhur në ndihmë shtabeve të emergjencave civile të ngritura në çdo qark. Grupi koordinator po monitoron orë pas ore të dhënat e ardhura nga të gjitha shtabet e emergjencave civile të çdo qarku dhe siguron qytetarët e zonave të prekura që janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura, për të përballuar çdo situat eventuale.

MPB informon për situatën sipas qarqeve

Ministria e Punëve të Brendshme informon se është duke ndjekur nga afër situatën e krijuar për shkak të reshjeve të shumta që po bien në pjesën më të madhe të vendit, si dhe duke koordinuar masat për të evituar ngjarje të rënda për jetën e qytetarëve. Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka urdhëruar mbledhjen e menjëhershme të shtabeve të emergjencës në të gjitha qarqet e vendit.

Drejtoria Operacionale në Ministrinë e Punëve të Brendshme po mban kontakte të vazhdueshme me të gjithë institucionet përgjegjëse dhe forcat operacionale për koordinimin e veprimeve në normalizimin e situatës.

Janë vënë në gadishmëri repartet e Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë në rrethet Tiranë, Shkodër, Fier, si dhe efektivët e repartit RENEA. Po vlerësohet rast pas rasti situata në vend, për të ndërhyrë dhe për të dhënë ndihmën e  duhur ndaj personave dhe familjeve në rrezik.

Qarku Lezhë

Në qarkun e Lezhës vazhdojnë reshjet por me intensitet të ulët.

Në Nënstacionin e Lezhës po punojnë 5 mjete zjarrfikëse, të cilat kanë ardhur nga Shkodra dhe Tirana në ndihmë të zjarrfikësve të Lezhës dhe po punojnë për largimin e ujrave. Në nënstacion niveli i ujrave është rreth 0,80 m.

Gjithashtu në Nënstacion po punojnë edhe punonjësit me mjete nga OST, të cilët po kontrollojnë paisjet e Nënstacionit për ti vënë në gadishmëri, pas largimit të ujit.

Në Nënstacion kanë shkuar edhe Prefekti i Lezhës dhe Shkodrës të cilët kanë mbledhur bashkërisht të dy komisionet e emergjencave të qarqeve me të gjithë punonjësit e administratësa dhe forca nga Ndërmarrjet Rajonale që funksionojnë në territoret e qarqeve.

Në komunat Balldren, Blinisht, Shëngjin, aktualisht reshjet kanë intensitet të dobët, por vihen re prezencë e ujit në nivelet 30- 50 cm në një pjesë të mirë të zonave.

Në qytetin e Rëshenit për shkak të daljes së ujrave të lumit Fan, ka përmbytje në 5 banesa dhe 1 banesë në qytetin e Rubikut. Sipas informacioneve të tanishme reshjet kanë pushuar dhe ujrat e lumit po ulen. Kryetarët e komunave kanë mbledhur Komisionet e Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile, të cilët po analizojnë situatën e krijuar dhe po marrin masat për përballimin e gjendjes.

Qarku Tiranë

Në bashkinë e Tiranës ka probleme në disa zona të qytetit.

Njësia nr.1: Në rrugët “Ali Demi”, “Shemsi Haka”, te ura e Poligrafikut ka përmbytje për shkak të daljes së ujrave nga shtrati i Lanës.

Njësia nr.2: Rruga “Gramos Pashko” dhe zona e “Qytetit Studenti” kanë përmbytje dhe ujrat janë futur në disa banesa.

Njësia nr.3: Në “Kodrën e Priftit”, në “Rrugën e Kokonozve”, rruga “Bardhyl”, rruga “Qemal Stafa” ka probleme nga dalja e ujrave sipërfaqësore.

Njësia nr.4: Tek Bregu i Lumit, në Allias, për shkak të daljes nga shtrati të lumit të Tiranës ka përmbytje në disa banesa dhe në rrugët sekondare në mes pallateve.

Njësia nr.5: Në rrugën “Sami Frashëri”, rrugën “Komuna e Parisit” dhe rrugën “Medar Shtylla” ka dalje të ujrave sipërfaqësore për shkak të rrjedhjes nga kodra e Diellit.

Njësia nr.6: Ka përmbytje gjithë lagjja “Shaban Bardhoshi” sepse ujrat e kanalit kullues kanë dalë jashtë shtratit.

Njësia nr.9: Rruga “Don Bosko” ka përmbytje, pasi ka dalje ujrash nga mospërballimi i tyre prej kanaleve ekzistuese.

Qarqet Shkodër, Durrës, Elbasan, Korça, Fieri, Vlorë, dhe Gjirokastër nuk kanë problem me reshjet e shiut.

Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara nga rreshjet e shumta, që të evitojnë daljen nga banesat e tyre, apo udhëtimet në akset rrugore dhe për çdo rast rreziku të njoftojnë menjëherë në sallat operative të policisë, në numrin 129.

Informacion zyrtar i policisë së Lezhës mbi përmbytjet

Si pasojë e motit të keq më datën 18.11.2014 në gjithë Qarkun e Lezhës duke filluar nga ora 15.00 e ditës së djeshme e deri në mesnatë ka pasur shira të rrëmbyshëm. Nisur nga situata e krijuar është ngritur grupi i emergjencës në bashkëpunim me Prefekturën dhe Bashkinë e Lezhës.

Si rezultat i kësaj situate ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Qarkut edhe një grup nga Drejtoria e Pergjithshme e Policise si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtettit. Për përballimin e kësaj situate janë angazhuar rreth 300 forca policie me 10 automjete, ku në ndimë të policisë së Lezhës kanë ardhur edhe forcat e FNSH. Forcat e policisë janë shpërndarë në gjithë teritorin në bashkëpunim dhe me forcat e zjarrfikëses ku kanë bashkërenduar punën për tu ardhur në ndimë banorëve të dëmtuar nga përmbytjet.

Si rezultat i shirave te rrëmbyeshëm hidrovori nuk ka punuar, pasi ka qenë e stakuar energjija si rezultat i përmbytjes së nënstacionit elektrik.

Prurjet në qytetin e lezhës dhe Kurbinit kanë qenë të mëdha e për pasojë ka patur dëme të medha materjale dhe tre viktima në rrethin e Kurbinit , ku forcat e policisë kanë punuar deri në orët e para të ditës së sotme për të nxjerr viktimat nga uji.

Tre viktimat- Më datë 18.11.2014, rreth orës 20.30, në afërsi të Bankës Raiffesien, në qytetin Laç, Kurbin, është marrë nga rrjedha e ujit si pasojë e reshjeve të rëna mjetin ËË veturë në të cilën ndodhej shtetasi Gjon Zef Kola, vjeç 60, banues në Laç,Kurbin si dhe vajza e tij shtetësja Dorina Kola, 26 vjeçe, banuese në Laç, Kurbin. Në afërsi të ish komunales në Laç, është gjetur mjeti si dhe shtetasi Gjon Kola i vdekur, ndërsa vajza e tij është gjetur e vdekur në ora 01.04, datë 19.11.2014.

-Më datë 18.11.2014, rreth orës 23.30, në Gallatë, Kurbin, shtetasi G N, vjeç 15 , banues në Malbardhë, Kurbin, ka qenë duke drejtuar një çiklomotorr ku si pasagjer ka patur shtetasin Liman Balloku, vjeç 21, banues në Vinjollë, Kurbin, të cilët janë marrë nga rrjedha e ujit nga ku drejtuesi i mjetit shtetasi G N ka arritur të dalë i ndihmuar nga banorë të zonës dhe forcat e policisë ndërsa shtetasi Liman Balloku, është gjetur i vdekur në ora 00.30, datë 19.11.2014.

Si rezultat i pushimit të reshjeve pas mesnatës hidrovorët kanë filluar të punojnë dhe situata në ditën e sotme është drejt normalizimit./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit