Transmetuar më 18-11-2014, 17:43

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka marrë pjesë në Bruksel, te punimet e Asamblesë Parlamentare të Partive Popullore Europiane. Ai thotë se në takimet e atjeshme ka ndarë disa shqetësime që opozita sot i ngre vazhdimisht në Tiranë.

Z.Basha tha se veç sensibilizimit direkt me qytetarët shqiptarë, po synon të marrë përkrahjen e Bashkimit Evropian, të institucioneve të Bashkimit Evropian, të partive simotra, për veprimin opozitar.

“Prej më shumë se gjashtë muajsh, qeveria sistematikisht po asgjëson çdo hapësirë institucionale ku opozita dhe shumica të bëjnë debat, të bëjnë transparencë para qytetarëve shqiptarë për çfarë po ndodh në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse, opozita shqiptare, Partia Demokratike, unë personalisht, u jemi drejtuar drejtpërdrejtë qytetarëve shqiptarë”, – thotë z.Basha.

Problemet e tyre, shqetësimet e tyre, – shton ai, – veçanërisht ato që kanë të bëjnë me situatën e rënduar ekonomike në vend, me rritjen e çmimit të energjisë dhe taksave për vitin e ardhshëm, me dhunën dhe paligjshmërinë qeveritare me pronën dhe jetën e qytetarëve, me instalimin në vend të një shteti policor i cili vepron kundër rregullave të shtetit ligjor, pra të ligjeve dhe kushtetutës së vendit.

Z.Basha thotë se këto janë shqetësime që i marrim drejtpërdrejtë nga qytetarët shqiptarë me raste konkrete të evidentuar me fakte të pakundërshtueshme. “Këto janë edhe shqetësimet që po paraqesim këtu në Bruksel pranë institucioneve evropiane, pranë partive si motra, ku po gjejmë jo vetëm interesimin e tyre, jo vetëm shqetësimin e thellë për situatën në Shqipëri, por edhe përkrahjen e plotë për reaksionin opozitar”.

Basha tha se arsyeja kryesore se pse “vendi është zhytur në këtë situatë ekonomike, në këtë situatë politike, është sepse qeveria shpërfill zërin e qytetarëve, shpërfill zërin e opozitës, shpërfill institucionet dhe mundohet t’i kapë ato t’i vërë nën zotërimin e saj të paligjshëm”.

Ky është një shqetësim i jashtëzakonshëm për ne. Është një shqetësim i madh edhe për Bashkimin Evropian edhe për partnerët tanë dhe për të gjithë bashkëbiseduesit që unë kam takuar dhe vazhdoj të takoj këtu në Bruksel, – shtoi z.Basha. /a.d/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit