Transmetuar më 18-11-2014, 17:27

Komunistët në koalicionin e majtë nuk e kanë pritur mirë reagimin e kryeministrit Edi Rama ndaj komunistëve që erdhën me portretet e Enver Hoxhës në ceremoninë e 70 vjetorit të çlirimit të Tiranës. Z.Rama u shpreh se ata ishin të paftuar dhe u futën si diversantë në aktivitet.

Fronti i Majtë, një organizatë që drejtohet nga Marko Dajti reagoi pasditen e sotme duke kritikuar mënyrën si Rama e përcolli prezencën e komunistëve dhe portreteve të Enverit në 70 vjetor.

“Do të vijë një ditë kur Edi Rama, si pensionist politik, do të marrë Zahon për dore dhe do t’i tregojë se si Hamit Matjani çliroi Shqipërinë…”, – paralajmëron Kryetari i Frontit të Majtë, Marko Dajti.

Sakaq ai kritikon fort edhe ndërhyrjen e ambasadorit në detyrë të SHBA-ve në Shqipëri, Aleksandër Arvizu.

“Festa e 70-vjetorit të çlirimit të Tiranës u njollos rëndë, por jo nga veteranët e nderuar të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që mbanin në duar portretin e komandantit të tyre në këtë përpjekje heroike. Festa u njollos nga deklarata e ambasadorit me mandat të skaduar, Aleksandër Arvizu, i cili e quajti fyerje për shqiptarët që të mbanin në duar fotografinë e Komandantit të Përgjithshëm të ushtrisë që çliroi vendin”, – thotë z.Dajti.

Ndërsa shton: “Historia e Shqipërisë nuk fillon në vitin 1990 dhe ambasadori mandatskaduar duhet ta dijë mirë këtë gjë. Në Luftën e Dytë Botërore, partizanët shqiptarë, të drejtuar nga PKSH dhe Enver Hoxha, ngritën popullin në luftë kundër fuqive të Boshtit (Japoni, Gjermani, Itali), duke u rreshtuar përkrah koalicionit fitues (SHBA, BS, Angli). Ky është një kontribut i njohur botërisht, madje edhe nga Uashingtoni”.

Ambasadori që pas 23 qershorit ka harruar të flasë për luftën kundër korrupsionit, – vijon reagimi i Dajtit, – nuk mund të abuzojë paturpësisht me ndjenjat miqësore që shqiptarët kanë kundrejt Shteteve të Bashkuara. A mund të imagjinohet një ambasador amerikan në Rusi që ta quajë fyerje për popullin rus portretin e Stalinit në ditën e fitores kundër nazizmit? Përse ai i Tiranës guxon?

Pasi shtron këto pyetje, kryetari i Frontit të Majtë thekson: “Historia nuk shkruhet sipas dëshirës së një ambasadori dhe as sipas tekave të një kryeministri”. /a.d/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit