

Një Shqipëri pothuajse perfekte në fazën mbrojtëse ka futur në telashe Paul Pogba. Paraqitja e tij ndaj Shqipërisë ka bërë që mesfushori i talentuar të përfundojë në qendër të kritikave.
Talenti francez i Juventusit është padyshim një ndër fenomenet më premtues në futbollin ndërkombëtar, kandidat madje edhe për Topin e Artë.
Në Francë janë të bindur se meritë të padiskutueshme për shkëlqimin e tij edhe me kombëtaren ka trajneri Didier Deschamps, që e ndihmoi për të fituar edhe në aspektin psikologjik që i mungonte më parë.
Por tani në atdheun e tij Pogba është vënë në qendër të kritikave. Faji është i paraqitjes jo të shkëlqyer që dhuroi të premten kundër Shqipërisë.
Për mediat Franceze ishte një ndeshje ku Pogba meritoi notën mjaftueshëm, me një paraqitje pak të vlerësuar nga mediat, e madje dhe nga vetë Deschamps, që i kujtoi Pogba kërkesën e tij për të luajtur në një mënyrë më të thjeshtë, por duke i kujtuar se gabimet falen kur nuk përsëriten.
Pogba mbetet gjithsesi një pikë referimi në përfaqësuesen e rinovuar Franceze bashkë me bomberin Benzema dhe qendërmbrojtësin Varane.
Status që siç tregon Le Parisien e fitoi që në grumbullimin e sfidës së 1/8 të Botërorit me Nigerinë, kur Deschamps bisedoi me të, për ti treguar Pogba përgjegjësitë që e prisnin si një pikë rifereimi për perspektivën e kombëtares Franceze.
Një mesazh që u përftua në 100% nga Pogba me një gol dhe një paraqitje fantastike kundër Nigerisë, me mesfushorin që konsolidoi pozitat e tij edhe në fitoren e shtatorit kundër Spanjës, por diçka që nuk mundi të vijojë në këtë rrugë kundër Shqipërisë.
Për këtë arsye siç raportohet në mediat franceze nuk i kursejnë kritikat, ndërkohë që në të tilla raste, legjitime është dhe pyetja, ishte thjesht një ditë jo për Pogba, apo merita ishte e Abrashit, Lilës dhe kafazit kuqezi që ndërtoi De Biasi, duke mos e lënë Pogba të shprehet në nivelin e tij.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





