

Imazhet e dhunës dhe koret e turpshme në Serbi-Shqipëri shokojnë Italinë.
Në kanalin Italia 1 të Mediaset, emisioni i famshëm i gazetarëve të mirënjohur italianë, Pierluigi Pardo dhe Marco Foroni në edicionin special të së hënës, i ka kushtuar një reportazh ekskluziv episodeve që ndodhën në mbrëmjen e 14 tetorit, me pamjet që ju ishin vënë në dispozicion nga FSHF dhe që janë dërguar edhe në Komisionet e Uefa-s.
Imazhe që shfaqeshin për herë të parë për publikun italian, por të njohura mirë nga shqiptarët.
Në reportazhin e transmetuar dokumentohej dhuna dhe klima se si u luajt në stadiumin e Partizanit të Beogradit, ku gjithçka kishte nisur me koret politike, Kosova është Serbi. Flamurin shqiptar që fshihej në tribunë, lojtarët shqiptarë që në tunel nuk dukej se shkonin për të luajtur një ndeshje futbolli, ndërsa dëgjonin publikun të thërriste: Vriti shqiptarët, vriti shqiptarët!
Fishekzjarret e hedhura në fushë që në fillimin e ndeshjes dhe Agollin që e kishte të pamundur të niste një goditje këndi prej tyre, gjithmonë të shoqëruara nga thirrjet për gjenocid: Vritni shqiptarët deri sa të mos ekzistojnë.
Tentativën e pushtimit të fushës nga tifozët serbë dhe arbitrin Atkinson që ndërpriste ndeshjen në minutën e 41-të për shkak të sendeve të hedhura në terrenin e lojës.
Më pas shfaqja e dronit dhe ngjarja e të pabesueshmes, me kangjellat e hapura dhe personat që duhej të garantonin sigurinë që nisnin gjuetinë ndaj futbollistëve shqiptarë.
Stewardin që godiste Canën dhe një tjetër tifoz që shkonte për të goditur Mavrajn, tifozët serbë që mund të hynin si të donin në terrenin e lojës, dhe një fuçi që shfaqej në tribunë, dhe shfaqjen e famëkeqit Ivan Bogdanov që nxiste tifozët, një tifoz serb që sulmonte stafin e De Biasit, arbitrin Atkinson që dërgonte skuadrat në dhomat e zhveshjes.
Në mision që ishte një kalvar i vërtetë për futbollistët shqiptarë të gjendur nën breshërinë e sendeve të forta e goditjet nga afër të tifozëve serbë.
Dhe më pas duke shpjeguar se arbitri Atkinson shkoi në dhomat e zhyveshjes për të pyetur lojtarët shqiptarë nëse mund të riktheheshin në fushën e ferrit, duke përcjellë dhe shpjegimin e Lorik Canës, citon Supersport.
“Na kërkuan nëse ishim në gjendje për t’u kthyer në fushë. Unë u gjenda në një situatë haluçinante bashkë me presidentin e federatës dhe trajnerin. Kanë ndaluar ndeshje, kujtoj Itali-Serbi pasi bënë rrëmujë në tribuna apo ndeshje të tjera, ku nuk kishte ndodhur as gjysma e këtyre, ndaj ishte paksa edhe papërgjegjshmëri nga ana e UEFA-s”.
Më pas në reportazh shpjegohet se arbitri Atkinson nuk u kthye në dhomat e zhveshjes për t’u kërkuar shqiptarëve që të dilnin në fushë, dhe për këtë arsye Shqipëria konteston humbjen e ndeshjes në tavolinë.
Një reportazh që ka befasuar panelin e zgjedhur të Tiki – Takas me opinionistin Giampiero Mughini që është shprehur se është e pamundur për të kuptuar ngjarje të tilla, e modelen kroate Nina Moric, që duke kuptuar gjuhën ka ngelur e shokuar nga thirrjet e serbëve, ndërkohë që kryeredaktori i të përditëshmes, “Il Giornale” Franco Ordine i indinjuar bëri këtë vëzhgim për punën e arbitrit Atkinson.
“Gjëja më tronditëse e gjithë kësaj çështjeje sipas meje është sjellja e arbitrit, pasi të prezantohesh në dhomat e zhveshjes pas atyre skenave të filmuara, ndërsa lojtarët tentojnë të futen në dhomat e zhveshjes, të prezantohesh në dhomat e zhveshjes të Shqipërisë për t’i kërkuar e pretenduar rikthimin në fushë, do të thotë të mos kesh absolutisht ndërgjegje për atë që ka ndodhur, dhe kjo është shumë e rrezikshme”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





