Transmetuar më 18-11-2014, 11:36

Telefonat e urgjencës në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” por edhe në rrethe si Elbasan, etj., në raste të përsëritura mbajnë telefonin e hapur që të mos përgjigjen.

Ky skandal ka vite që vazhdon, por njerëzit ankoheshin shpesh se telefoni u dilte vazhdimisht i zënë kur kishin nevojë për urgjencën spitalore.

Vetëm se ata nuk e dinin se kjo ndodhte për shkak se njerëz të paskrupuj e të papërgjegjshëm e mbajnë hapur telefonin siç shikoni edhe këtë foto që e denoncon një qytetar në Elbasan.

Ai pohon: “Nuk doja ta bëja publike në momentin që e fotografova sepse nuk jam as gazetar dhe as polic. Por si qytetar dua ta vë në dukje këtë fakt. Atë ditë telefonova dy tre herë numrin e urgjencës dhe dilte i zënë. U detyruam bashkë me djalin e xhaxhait ta marrim në krahë nënën e sëmurë deri poshtë te makina dhe e çuam në spital. Pasi i bënë gjilpërat e duhura dhe nëna sikur u qetësua, nuk më la kurioziteti dhe shkova një moment në dhomën e mjekëve. Dhe vërtetova dyshimin tim duke marrë me celular këtë fotografi nga korridori. Për mua, ky xhest që shihni në foto nuk është një krim vetëm i ulët, por është krim i një mjeku e ndoshta dhe mjekëve, të papërgjegjshëm që mund të kushtojë jetë njerëzish. Thjesht, shërbimi mjekësor këtu te ne lë ende shumë për të dëshiruar”, – përfundon denoncimin e tij, Marini.

Ndërkohë NOA.al ka kryer një vëzhgim se si funksionon shërbimi i urgjencës dhe ka folur me mjekë dhe infermierë e infermiere në disa spitale.

Ata pohojnë se në fakt rrallë autoambulancat e tyre përdoren dhe kjo vjen për shumë arsye. Së pari njerëzit duan të fitojnë kohë kur transportojnë të sëmurët dhe shpesh janë përballur me papërgjegjshmëri vonesash deri heshtje totale nga urgjencat spitalore.

Infermierë në spitalin e Elbasanit janë parë fare hapur të ngrejnë receptorin dhe ta lënë hapur, me justifikimin se ka njerëz që bëjnë “telefonata koti”.

Edhe në QSUT, sipas ankesave që bëhen nga qytetarë të ndryshëm ata thonë se e kanë provuar pa sukses që të lidhen me urgjencën.

Atje telefoni ngrihet kryesisht nga infermierë, rrallë ndonjë mjek e herë të tjera kush të kalojë nga stafi spitalor përgjigjet. Por në disa raste, sipas këtyre qytetarëve, receptori mbahet i ngritur qëllimisht që telefoni të tregojë i zënë. Ndaj ka raste të përsëritura qytetarësh që ankohen se nuk arrijnë të lidhen me numrat e urgjencës.

Në këtë pikë ajo që është urgjente për njerëz të papërgjegjshëm në urgjencat tona spitalore është thirrja: "Mbajeni të disponueshëm telefonin dhe përgjigjuni e jepni ndihmën që keni për detyrë dhe mision”.

Kurse autoritetet ndoshta duhet të ngrejnë një qendër të posacme sic e kanë vendet e tjera europiane dhe SHBA, ku në një numër të vetëm telefoni përgjigjen në cast operatorë që ia delegojnë menjëherë sektorëve përkatës si urgjenca spitalore, policia, zjarrfikësit, policia rrugore, etj. /a.d/noa.al/

Rrëfimi: Minutat e fundit të Dr. Florit para vdekjes: Ambulanca nuk denjoi të vijë

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit