

Kostandin Xhuvani para arrestimit
Fjalët e fundit të Konstandin Xhuvanit, para se të arrestohet nga policia ishin “jam djali Luiza Xhuvanit dhe nëse më lëshoni do t’ju jap edhe flori”. Kështu u raportua nga efektivi i policisë i cili me ndihmën e një kalimtari të rastësishëm i vendosi prangat 26 vjeçarit vetëm pak sekonda pasi kishte ekzekutuar me pistoletë 4 persona.
Dëshmitë e te gjithë personave te pranishëm në ngjarje u përfshinë ne kërkesën për gjykim të përpiluar në 12 faqe. Në kërkesë, tregohen me detaje momentet e nisjes së konfliktit mes Xhuvanit dhe dy viktimave Edison Jaho dhe Enea Xhaji. Dosja u dorëzua pranë Gjykatës së Tiranës, ku 26 vjeçari do të gjykohet për akuzën e vrasjes së katërfishtë.
Në dosje ndodhen gjithashtu edhe 4 akt-ekspertimet e mjekësisë ligjore, ku përshkruhen me detaje plagët e shkaktuara në trupat e viktimave nga pistoleta TT që kishte Xhuvani në momentin e vrasjes.
Sipas prokurorisë, Xhuvani është autori i vrasjes së 4 personave, mes tyre edhe të shokut të tij Arbër Demiraj, të cilin pasi e qëlloi, e hipi në mjetin e tij për ta dërguar në spital.
Me dosjen është njohur edhe avokati Ardian Leka.
Mbrojtja duket se nuk kundërshton asgjë nga versioni prokurorisë, për mënyrën sesi ka rrjedhur ngjarja.
Por pas takimit me klientin e tij, në burgun e Fush-Krujës ai kërkoi dërgimin e Konstandin Xhuvanit në ambientet spitalore për mjekim. Ai ka thënë se gjendja e tij psikologjike është shumë e rënduar dhe nuk është në gjendje të kujtoj ngjarjen e mëngjesit të 4 nëntorit në rrugën e “Elbasanit”.
Për këtë fakt, ai ka kërkuar kryerjen e akt-ekspertimit psikik të Konstandin Xhuvanit pasi mendohet se ai ka problem shëndetësore pas ngjarjes.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





