






Tiranë, 18 nëntor 2014, NOA.al-Nën tingujt e këngëve të tij, i mbajtur mbi supet e miqve më të afërt, nga shokët e ngushtë Ermal Mamaqi, Landi Hysi, dhe familjarë, Dr.Flori la hollin e Radio Televizionit Publik Shqiptar për tu përcjellë drejt banesës së fundit.
Miq, familjarë dhe fansa të shumtë e mbuluan arkëmortin me lule, ku përlotja dhe hidhërimi dominonin në fytyrat e gjithë të pranishmëve, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit Florian Kondit.
Holli i Radio Televizionit Publik Shqiptar ishte ndalesa e fundit për trupin e pajetë të kamtautorit Florian Kondi, i njohur ndryshe si Doktor Flori.
Nga ora 09.00 deri në orën 11.00 u zhvilluan homazhet në nder të Dr.Florit, ku miq, të afërm dhe dashamirës u përshëndetën për të fundit herë.
Dr. Flori u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 35 vjeçare ku nga të dhënat paraprake dyshohet se shkak për vdekjen e tij ka qenë asfiksia si pasojë e overdozës, mbingarkesë e trupit nga substancat narkotike.
Ai ndërroi jetë në krahët e vëllait të tij Albanit, ndërsa la pas dy fëmijët e vegjël, Kaltrinën 7 vjeç dhe djalin e vogël vetëm dy muajsh, si dhe bashkëshorten 28 vjeçare Blerina.
Florian Kondi lë pas një karrierë të pasur muzikore dhe gjurmë të pashlyera në botën e artit. Doktor Flori është krijuesi i grupit muzikor mjaft të njohur “West Side Family”. Pas shkëputjes nga miqtë e tij të grupit, Landi dhe Miri, doktor Flori ka kënduar si solist por nuk kanë munguar edhe duetet, ku më të suksesshmit janë ata me Aurela Gaçen dhe Ermal Mamaqin.
Gjatë homazheve të bëra në nder të Dr. Florit, këngëtari Alban Skënderaj, e vlerësoi si një talent të madh, tekstshkrues shumë të mirë, karizmatik dhe me një dashuri të madhe për jetën.
Ndërkohë Redon Makashi, mes lotësh tha “Ai është ende gjallë, për miqtë dhe fansat që e kanë njohur”.
Kryeparlamentari Ilir Meta e cilësoi si një ngjarje mjaft tronditëse ndarjen nga jeta të Doktor Florit duke shprehur ngushëllime për familjarët, kolegët dhe artistët, ndërsa shtoi se ai do kujtohet gjithmonë i qeshur dhe plotë me energji./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





