Transmetuar më 17-11-2014, 16:40

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, ministra dhe deputetë kanë kujtuar sot 70 vjetorin e çlirimit të Tiranës me një ceremoni para monumentit të “Ushtarit të Panjohur”.

Ndërsa Bashkia e Tiranës ka nderuar dëshmorët e luftës me një ceremoni të zhvilluar në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”.

Ceremonia ku morën pjesë drejtuesit e shtetit, u shoqërua me valëvitje pankartash e banderolash me portretin e Enver Hoxhës dhe thirrjet për lavdinë e ish diktatorit.

Ithtarët e Enver Hoxhës janë shfaqur me fotot e diktatorit në duar.

Policia është përpjekur t’i pengojë që t’i bashkohen ceremonisë, por pa sukses.

Pamjet e fotove të Hoxhës në ceremoninë e organizuar nga qeveria kanë ngjallur dhe reagimin e Ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, i cili me disa postime në Tëitter ka dënuar atë që ai e quan një fyerje për shqiptarët.

Ambadadori Arvizu thotë se “fatkeqësisht, fotot e diktatorit Enver Hoxha e njollosën ceremoninë e sotme”.

Edhe Partia Demokratike reagoi. Ajo akuzoi Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit për rehabilitim të figurës së diktatorit, për përbaltjen e kësaj feste dhe për shndërrimin e saj nga ditë bashkimi në ditë përçarje.

Deklarata e Edi Palokës në 70 vjetorin e çlirimit të Tiranës, ku dënoi ceremoninë qeveritare me fotot dhe koret e diktatorit Hoxha:

“Edi Rama dhe Ilir Meta, zyrtarisht sot konfirmuan dhe e vunë në jetë projektin e tyre për rehabilitimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha.

Me fotot e Enverit pas shpatullave, me korin e Enverit në sfond, Rama dhe Meta, gjetën mënyrën më të turpshme për të baltosur 70 vjetorin e çlirimit të Tiranës.

Duke përkujtuar këtë ditë të shënuar, me diktatorin Hoxha, Rama dhe Meta, kanë fyer kujtimin e dhjetëra intelektualëve, heronjtë e vërtetë të luftës, të cilët u vranë dhe u linçuan drejtpërdrejt nga dora e Enverit.

Rama dhe Meta kanë fyer sakrificat e dëshmorëve të luftës, të cilët dhanë jetën për lirinë e vlerat europiane, vlera të cilat i përdhosi diktatori Hoxha, me instalimin e regjimit më të egër dhe më gjakatar në gjithë lindjen.

Me Enver Hoxhën në sfond, Edi Rama dhe Ilir Meta, provokuan sot të gjithë shoqërinë tonë, dhe plagët e saj më të dhimbshme të periudhës së shkeljes brutale të dinjitetit njerëzor, të plagëve të urisë që solli diktatori në këtë vend për më shumë se 40 vite.

Kjo duhej të ishte dita për të bashkuar gjithë shqiptarët pavarësisht preferencave politike, në nderim të të rënëve, në nderim të luftës së tyre, por Edi Rama zgjodhi kursin e përçarjes, duke provokuar e duke baltosur sakrificat më të larta njerëzore që u bënë në emër të lirisë dhe kombit”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit