Transmetuar më 17-11-2014, 12:16

Parlamenti Live

Tiranë, 17 nëntor 2014, NOA.al- Kuvendi është mbledhur në seancën parlamentare ku po diskutohet për projekt buxhetin e vitit 2015 dhe për Paketën Fiskale.

Seanca nisi pak pas orës 11.00 ku ra në sy mungesa e opozitës, e cila vijon rrugën e bojkotit, çka parashikon që votimi në parim i dy akteve më të rëndësishme të financave publike të bëhet vetëm me votat e mazhorancës. Pas miratimit në parim, buxheti dhe paketa fiskale do të rikthehen në Komisionet parlamentare për diskutimin nen për nen.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në Kuvend e cilësoi buxhetin si një vizion për të ardhmen e vendit, ndërsa paketën fiskale e cilësoi si një paketë rritjesh dhe jo masash shtrënguese.

“Do i japim frymëmarrje në afat të mesëm forcës sonë qeverisëse. Tre pyetjet themelore janë si të krijojmë mundësinë, si të sigurohemi se rritja përkthehet në punësim dhe rritje të mirëqenies së familjeve. Pa dyshim buxheti është dhe do të jetë një instrument i njerëzve që duan të fitojnë përmes punës dhe që nuk janë në kërkim të zgjidhjeve magjike. Ky buxhet në vijimësi të buxhetit të një viti më parë është një buxhet me disa standarde të mirëpërcaktuara për të arritur objektivin tonë minimal, të një rritje ekonomike përtej 4% në fund të vitit të katërt të këtij mandati. Besoj se jemi sot me një dokument që është një isntrument rritje, zhvillimi dhe punësimi”, u shpreh Rama.

Sipas tij mungesa e opozitës është një mangësi e ndjeshme në mënyrë që argumentet të përballen në tavolinë. Ai tha se buxheti ul dhe zeron 15 lloje taksa, ndërsa ato rriten vetëm për tre kategori.

Kryeministri deklaroi se ulja e taksës doganore është një komponent i rëndësishëm që ndikon drejtpërdrejt mbi shëndetin e ekonomisë se vendit.

Rama shtoi se ulja e rentës për kromin e përpunuar është një masë që stimulon përpunimin e mineralit në vend.  Në vijim ai tha se ulja e taksës për gomat e reja, ngjan diçka pa lidhje por ka lidhje të shumëfishta, pasi mbron mjedisin dhe rrit sigurinë.

Lidhur me tre taksat që do të rriten ai tha se rritja e akcizës së cigares nuk duhet të konsiderohet si një rritje takse, por si një masë për t’i ardhur në ndihmë familjarëve që nuk duan që të humbin të afërmit e tyre nga duhanprija.

“Ne e konsiderojmë atë një rritje të fuqisë shtypëse, që shkatërron shëndetin dhe sjell vdekjen e njerëzve. Jemi aleatë të familjeve që duan të heqin këtë ves”, tha Rama.

Ai bëri me dije taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoil, është një tjetër taksë e cila parashikon masën e qeverisë për të pasur një vend më të pastër e më të mbrojtur.

Kreu i qeverisë deklaroi se një tjetër vendim i qeverisë është barazimi i tatimit mbi të ardhurat personale dytësore, me tatimin për të ardhurat nga paga.

Ai tha se, “Kush ka të ardhura dytësore nuk ka pse të paguajë 10 % por 15%. Falënderoj deputetët për pranimin me dhimbje të kësaj mase, por kjo na bën të barabartë me të tjerët”.

Majko: Të falen kamatvonesat e energjisë

Deputeti socialist Pandeli Majko gjatë diskutimeve në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2015 dhe për paketën fiskale kërkoi që të falen kamatëvonesat e energjisë elektrike.

Sipas tij, ndërsa do të votohet falja e kamatvonesave për pensionet në fshat, kjo duhet bërë edhe për ata që janë me mbrojtje sociale.

“Nuk besoj se kjo na shmang nga ndonjë faturë e kripur, përkundrazi na bën më njerëzorë. Po nuk ditëm të flasim me njerëzit, nuk jemi të majtë. Të falen kamatëvonesat për energjinë”, u shpreh Majko.

Nga ana e tij Kryeministri Rama, deklaroi se prej 20 vitesh po bëhet një faj tradicional, ndërsa deklaroi se nuk do të falet asnjë kamatvonesë e energjisë elektrike, ashtu sikundër asnjë kamatvonesë.

Rama tha më tej se pagesa e energjisë është diçka e dobishme duke u shkëputur nga ndarjet e djathtë e majtë.

Angjeli: Buxhet kthese

Në fjalën e mbajtur në Kuvend deputeti socialist Anastas Angjeli, si relator i pr.buxhetit e cilësoi si një buxhet kthese i cili parashikon rritje ekonomike.

“Një vit më parë e cilësuam buxhetin e kthesës, kriza ekonomike u frenua, financat publike u vunë nën kontroll edhe borxhi dhe deficiti. Në krahasim me 2013 në këtë fundvit ndryshimet janë të dukshme. Ekonomia po jep sinjale pozitive, si ajo në arsim energjetikë, bujqësi reforma territoriale”./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit