Transmetuar më 16-11-2014, 12:53

Prishtinë, 16 nëntor 2014 NOA.al – Në të dielën e tretë të Nëntorit, çdo vit shënohet Dita Botërore e përkujtimit për viktimat në aksidente rrugore, ndërsa këtë vit kjo ditë shënohet me 16 nëntor 2014.

Dita Botërore e përkujtimit për viktimat në aksidente rrugore daton nga viti 1993 nga Road-Peace dhe është miratuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 2005, e cila që nga ajo kohë njihet si ditë ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave në aksidentet rrugore.

Në këtë drejtim Policia e Kosovës thotë se është e angazhuar në ngritjen e nivelit të sigurisë në përgjithësi, veçanërisht Divizioni i Komunikacionit Rrugor është i përkushtuar në ngritjen e nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor, gjegjësisht në parandalimin e aksidenteve të kësaj natyre.

Qëllimi i shënimit të kësaj dite është sensibilizimi i qytetarëve, në veçanti i pjesëmarrësve në komunikacionin rrugor, pa marrë parasysh cilësinë e tij, shofer, pasagjer dhe këmbësorë, që së bashku të kontribuojmë për një siguri më të madhe në komunikacionin rrugor.

Policia e Kosovës thotë se vetëm në vitin 2013 nga aksidentet në aksidente rrugore kanë humbur jetën 119 persona dhe 9813 persona kanë marrë lëndime trupore.

Dita botërore e përkujtimit të viktimave në aksidente rrugore është një përkujtues i fuqishëm dhe prekës për të gjithë ne, në lidhje me rëndësinë e punës që ne duhet të bëjmë së bashku për të përmirësuar sigurinë rrugore.

Policia e Kosovës thotë se ka qenë, është dhe vazhdon të jetë e përkushtuar për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor.

Ndërsa apelon: Është e nevojshme ndihma e të gjithëve, që numri i viktimave të cilët përkujtohen në këtë ditë, të jetë sa më i vogël, andaj vazhdojmë të apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat e lëmit të komunikacionit rrugor.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit