



Këngëtari reper, Noizy (Rigels Rajku), ka publikuar këngën e tij më të re “Komplet ça kam fol”, që e konsideron këngën e jetës së tij.
Pasi është hedhur në YouTube, kënga pa klip ka regjistruar afro 350 mijë klikime për shkak edhe të tekstit.
Noizy tregon për jetën e tij dhe si ka arritur të jetë këtu ku është në muzikë.
Përveç faktit që thotë se e ka nisur gjithçka nga zero, reperi trondit me vargjet: “Kam provu krejt n’këtë jetë, besomë që s’janë veç llafe. Kam shit drogë, kam vjedh, jam rrahur edhe për pare. S’jam tu u mburr se s’është diçka me u mburr, thjesht po fol për jetën time”.
Më tej ai tregon se ka pasur fëmijëri dhe adoleshencë të vështirë në Angli pa ndihmën e askujt.
Në këngë, Noizy nuk e konsideron veten artist, por një djalë të talentuar, që përdor muzikën në vend të dhunës.
Gjithashtu nuk lë pa theksuar edhe çështjen e klikimeve të përmendura në “Kënga Magjike”, diskutim që ai i përgjigjet me shifra: “Kam 500 mijë fansa në një faqe të Facebook-ut, sa herë që publikoj këngë, interneti turbullohet”.
Sakaq, pak ditë pas aksidentit që bëri në autostradën Tiranë-Durrës, babai i tij Bashkim Rajku ia zëvendësoi menjëherë makinën e shkatërruar, me një tjetër të re.
Mercedes-Benz S-Class e vitit 2008 ka kushtuar 40 mijë euro, dhe është makina aktuale e reperit, të cilën ai do ta përdorë për udhëtimet e tij nëpër koncerte të cilat fillojnë këtë të diel në Mynih të Gjermanisë.
Tani që e ka kaluar këtë moment të vështirë të jetës së tij reperi Rigels Rajku (Noizy) shprehet për “Panorama plus”: “Tani jam mirë dhe dëshiroj të them se nga çfarë më ndodhi kuptova se sa shumë njerëz më duan. Dua t’i falënderoj të gjithë fansat që më mbështetën në këto ditë të vështira! Gjithashtu dua të jap një mesazh të fortë për njerëzit, por sidomos për të rinjtë. U them që të jenë shumë të kujdesshëm në timon, sepse jeta është e shtrenjtë dhe duhet shijuar. Jeta duhet jetuar jo vetëm për veten, por edhe për njerëzit e afërm dhe ata që na duan. Aksidenti ku për pak humba jetën, më bëri të kuptoj sa shumë njerëz më mbështesin, duke më frymëzuar për krijime të reja në muzikë”.
Djali 28-vjeçar i ka hyrë edhe karrierës kinematografike si protagonist në filmin e ri me producentë nga Kosova, të titulluar “Zori”. Në këtë film- aksion me regji të Esat Fejzës, Noizy luan së bashku me: Çun Lajçin, Sunaj Raçën, si dhe këngëtarët Meda, Gold Ag, etj.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





