

Entuziazmi i barazimit historik me Francën, edhe pse thjesht në një ndeshje miqësore, tashmë ia lë vendin analizimit të situatës në Grupi I eliminator të Euro 2016, ku kuqezinjtë nuk janë më në krye të klasifikimit, por kanë rrëshkitur në vendin e tretë.
Një lëvizje e pritshme kjo, pasi përveç miqësores Francë – Shqipëri, luheshin edhe dy sfida të tjera eliminatore, Serbi – Danimarkë dhe Portugali – Armeni, takime që prodhuan rezultate jo të favorshme për kombëtaren shqiptare.
Aktualisht Grupi I kryesohet nga Danimarka në kuotën e 7 pikëve, Portugalia ka 6 pikë, Shqipëria 4 dhe e mbyllin renditjen Serbia dhe Armenia me nga një pikë.
Fitorja e Portugalisë në shtëpinë e saj me Armeninë ishte mëse e pritshme, ndërsa humbja e Serbisë në stadiumin e Beogradit ndaj Danimarkës, konfirmoi edhe një herë pozitën e vështirë të formacionit të Dik Advokat, që sheh t’i zvogëlohen në maksimum shanset për një kualifikim të mundshëm.
Me rikonfirgurimin e renditjes, të gjitha skuadrat e grupit I mund të bëjnë llogaritë se deri ku mund të arrijnë në bazë të ndeshjeve të mbetura, dhe në këtë kontekst Shqipëria e ka të qartë se objektivi i saj parësor është zona play-off, pra të ruajë pozicionin aktual, duke lënë pas Serbinë dhe Armeninë.
Sfida e 29 marsit me Armeninë në Elbasan Arena do të jetë përcaktuese për objektivat e kuqezinjve, pasi një fitore e mundshme do t’i nxirrte jashtë lojë armenët, por do të mund të krijonte edhe një shkëputje më të ndjeshme me Serbinë, e cila pas transfertës me Portugaline do t’i kthejë vizitinën Danimarkës.
Në rast suksesi të serbëve në Portugali, për Shqipërinë do të rriteshin shanset për vendin e dytë, por edhe mundësitë për të humbur vendin e tretë.
Në çdo rast, 90 minutëshi më Armeninë do të përcaktojë edhe strategjinë e De Biasit për ndeshjet e mbetura, pasi në rast suksesi, kuqezinjve do t’u mjaftojë të mos humbasin në takimet e mbetura, në shtëpi me Portugalinë dhe Serbinë, por edhe me Danimarkën dhe Armeninë në transfertë, për të garantuar vendin e tretë.
Shqipëria ka treguar se mbetet një kockë e fortë për çdo kundërshtar dhe është e aftë të marrë rezultat pozitiv, sidomos kur luan në pozita mbrojtëse, ndaj në këtë kontekst ndeshja më e rëndësishme e përfaqësueses sonë mbetet ajo me Armeninë, më 29 mars, në Elbasan Arena, që më pas rregullat e lojës t’i përcaktojë ajo vetë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





