

Paraqitja ndaj Francës ka shërbyer për të rritur imazhin e kombëtares kuqezi në nivel ndërkombëtar.
Barazimi 1-1 ndaj skuadrës së Deschamps ka bërë jehonë në shtypin ndërkombëtar dhe për të hequr dyshimet e skeptikëve, se superlativat në lidhje me performancën e skuadrës së De Biasti në “Route de Lorient” janë frut i euforisë apo gjykimit subjektiv të një opinion ekzkluzivisht shqiptar, shërbejnë pikërisht komentet në disa nga gazetat më prestigjioze të europës, apo versionet e tyre online.
Në radhë të parë nuk ka shumë nevojë për shumë imagjinatë koncepti i shprehur në kryetitullin e faqes së parë të së përditshmes franceze “L’Equipe”: “Një leksion i mirë”, dhe natyrisht bëhet fjalë për mësimin që i dhanë kuqezinjtë përfaqësueses së Gjelave të mbushur me futbollistë të nivelit botëror, që nuk arriti të konfirmojë përshtypjet e mira që kishte dhënë në miqësoret e mëparshme përballë një Shqipërie të mirë organizuar dhe të qartë në lojë.
Vlerësimi për Kombëtaren Shqiptare nuk mungon edhe në një faqe zyrtare të UEFA-s ku natyrisht objektiviteti në raportim është një kusht i pa kompromis, citon Supersport.
“Griezman i siguron Francës barazimin me Shqipërinë” titullon faqja zyrtare e qeverisë europiane të futbollit, që nënvizon se mesfushori barazoi pasi një Shqipëri impresionuese kishte marë kryesimin me Mavrajn.
E përditshmja madrilene “AS” thekson gjithashtu se mesfushori i Atleticos i ardhur nga stoli, barazoi përballë një Shqipërie që kishte dominuar pjesën e parë të lojës.
E përditëshmja “Marca” gjithashtu vë në dukje se Griezman shpëtoi Francën nga disfata, ndërkohë që në Itali “TgCom” raporton “Griezman shpëton Francën, por çfarë frike”, natyrisht për blutë, ndërsa shpjegon se De Biasit i shpëtoi fitorja për një fije dhe më pas vë në dukje se pas fitores ndaj Portugalisë, Shqipëria mori një tjetër rezultat prestigjioz.
Po ashtu në Angli, “Daily Mail” qëndron në të njëjtën linjë, ndërsa shkruan se Grizeman shpëtoi Francën nga një humbje e sikletshme, ndërsa komenton se kryesimi i Shqipërisë ishte plotësisht i merituar.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





