Transmetuar më 15-11-2014, 16:44

Mitrovicë, 15 Nëntor 2014 NOA.al – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, së bashku me deputeten Aida Dërguti u takuan sot me qytetarët e Mitrovicës, për të diskutuar bashkë me ta gjendjen aktuale politike në Kosovës dhe mënyrat e zgjidhjes së saj.

Qytetarët e Mitrovicës ishin të interesuar që të dinin më shumë për gjithë rrjedhën e ngjarjeve që nga zgjedhjet e fundit e deri më sot, për çka u foli në detaje Kryetari i Vetëvendosje!, Albin Kurti. “Institucionet e shtetit të Kosovës janë të kapura dhe kriza e tyre është krizë për PDK-në. Ne kemi nevoje për institucione të reja”, tha z.Kurti.

Njëra nga të pranishmet në këtë tubim pyeti se pse një marrëveshje e tillë mes subjekteve politike nuk është bërë më herët, meqë të gjitha e kanë se sa keq ka qeverisur PDK-ja me vendin. Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje! një bllok të tillë opozitar e ka kërkuar qysh gjatë mandatin të kaluar, dhe se Vetëvendosje! ka qenë shumë më e gatshme për ta rrëzuar PDK-në, ngase e vetmja nga partitë opozitare nuk ka bashkëpunuar asnjëherë më PDK-në.

Shumë pyetje u bënë për marrëveshjen e 10 shtatorit në mes të Vetëvendosje!-s, LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s, nga qytetarët, të cilët donin të siguroheshin se një marrëveshje e tillë do të mund të realizohet. “Ne si shumicë parlamentare nuk jemi fare të përsosur në të mirën tonë, por PDK-ja është e përsosur në të keqen e saj”, tha Kurti, duke shprehur optimizmin e tij se marrëveshja do të realizohet dhe nuk do të ketë qeveri Thaçi 3.

Sa i përket vonimit të krijimit të institucioneve, qytetarët e Mitrovicës thanë se një gjë e tillë nuk duhet të lejojmë të zgjatë edhe më shumë, andaj duhet të dalim dhe të protestojmë në të drejtën tonë. “Nëse vazhdimi i seancës konstituive nuk thirret nga Flora Brovina as tash, ose nëse Presidentja e Kosovës për herën e dytë nuk e nominon kandidatit e shumicës parlamentare për Kryeministër, atëherë protestat dhe demonstratat janë të domosdoshme dhe të paevitueshme”, potencoi Kurti.

Ndarja e Mitrovicës dhe varfëria e madhe që e ka kapluar këtë komunë sigurisht se ishte preokupim i qytetarëve të pranishëm në këtë tubim. Punëtorë të ndryshëm dhe ish minatorë shprehën zhgënjimin e thellë që kishin me Qeverinë e Kosovës, ngase pas gjithë asaj pune që kanë bërë, sot marrin pension aq të vogël sa që nuk mund të quhet as ndihmë sociale. Duke folur për mungesën e angazhimit të qeveritarëve të Kosovës për bashkimin e Mitrovicës dhe zhvillimin ekonomik të qytetit, Kurti përmendi disa nga ata pushtetarët që kanë ardhur nga kjo anë. “Bajram Rexhepi, Kadri Veseli, Enver Hasani, Bedri Hamza, Ismet Kabashi, Ahmet Tmava, Kamishi, Behxhet Haliti dhe Enver Peci, janë nga Mitrovica. Si është e mundur që të gjithë këta kanë qenë në pushtet dhe janë shumë të pasur, përderisa Mitrovicën e kanë lënë të ndarë dhe shumë të varfër?”, – pyeti në fund Kurti. /a.d/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit