



Durrës, 15 nëntor 2014, NOA.al- Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj njoftoi nisjen për herë të parë të vaksinimit ndaj gripit të punonjësve të shëndetësisë. Gjatë një takimi të zhvilluar me punonjës e drejtues të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit të Durrësit, ministri tha se institucioni që ai drejton ka mundësuar ofrimin e vaksinës për 13500 punonjës të shëndetësisë mjekë, infermierë, etj., në kujdesin parësor dhe spitalor, që kanë kontakte të ngushta me pacientet në praktikën klinike.
“Vaksinimi çdo vit ndaj gripit i të gjithë personelit shëndetësor është i rëndësishem për të mbrojtur vetveten, personelin dhe sidomos pacientët të cilët janë grupe në risk”, tha ministri Beqaj, duke shtuar se programi i nisur sot nga Durrësi do të zgjasë deri më 31 dhjetor.
Ai kujtoi se në rekomandimet e OBSH vlerësohet se vaksinimi ndaj gripit duhet të bëhet në vjeshtë, ndërsa shtoi se gripi mund të merret nga personeli apo pacientë, të cilët janë me grip, dhe nëse mjekët apo infermierët preken nga gripi, atëherë virusi mund t’i transmetohet edhe të tjerëve edhe pa shfaqje të shenjave klinike.
Informacion mbi vaksinimin ndaj gripit
Vaksinimi çdo vit ndaj gripit i të gjithë personelit shëndetësor është i rëndësishem për të mbrojtur vetveten, personelin dhe sidomos pacientët të cilët janë grupe në risk.
– Gripi është një infeksion viral akut, i cili përhapet lehtë nga njeriu tek njeriu.
– Gripi mund të prekë çdo njeri në çdo grupmoshë.
– Gripi sezonal është një problem serioz i shëndetit publik i cili shkakton gjendje të rëndë shëndetësore, shtrime në spital dhe deri në vdekje tek grupet me risk të lartë.
– Çdo njeri mund të sëmurët shumë rëndë me grip, duke përfshirë edhe njerëzit të cilët janë të shëndetshëm.
– Gripi mund të merret nga personeli apo pacientë, të cilët janë me grip.
– Nëse mjekët apo infermierët preken nga gripi, atëherë virusi mund t’i transmetohet edhe të tjerëve edhe pa shfaqje te shenjave klinike.
– Duke u vaksinuar mbrohet vetvetja, familja dhe pacientët.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që, edhe për sezonin 2014-2015, grupet e popullatës të cilët duhet të marrin vaksinën ndaj gripit sezonal për shkak të rrezikut të komplikacioneve serioze, janë:
– Gratë shtatzëna;
– Personat me moshë mbi 6 muaj që vuajnë nga sëmundje kronike;
– Të moshuarit;
– Rezidentët në institucione të kujdesit social për të moshuarit (azile);
– Personat me aftesi të kufizuara, rezidentë në institucione të kujdesit social;
– Fëmijët me moshë 6 muaj deri 59 muaj (5 vjeç);
– Punonjësit e shëndetësisë./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





