Transmetuar më 15-11-2014, 13:42

Tiranë, 15 nëntor 2014, NOA.al- Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, përshëndeti aksionin kundër prerjes së lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike duke shprehur mbështetjen e qeverisë.

Ministrja Gjermeni e shoqëruar dhe nga Arben Seferaj, administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, u ndal sot në kryeqytet në aksionin e ndërmarrë, kundër abuzimeve me energjinë elektrike, pranë Fakultetit Juridik.

Ministrja Gjermeni shprehu mbështetjen e Qeverisë Shqiptare dhe falenderoi punonjësit e OSHEE dhe policinë e shtetit në aksionin e ndërmarrë, që sipas saj ka rezultuar në rritje të arkëtimeve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe bizneseve, për të shlyer pagesat e faturave të energjisë elektrike.

Në fjalën e saj Gjermeni tha, “Jemi të gjithë bashkë për t’i dhënë fund mospagesave të energjisë elektrike. Abuzimi është një vepër penale dhe ky aksion i përket ndërgjegjësimit të të gjithë qytetarëve dhe bizneseve për të paguar faturat e energjisë elektrike. 150 milionë euro çdo vit për buxhetin e shtetit do të thotë ndërtimin e 80 mijë banesave sociale nga ku do të përfitonin strehim me mijëra qytetarë dhe familje nga shtresat në nevojë”.

Në vijim ajo shtoi se me nevojat që ka Shqipëria, nuk e ka luksin të humbasë kaq shumë para dhe apeloi qytetarët që t’i japin fund mospagesës së faturave të energjisë elektrike.

Nga ana e tij Seferaj garantoi se ky aksion i do të vazhdojë derisa të gjithë qytetarët të ndërgjegjësohen se pagesa e faturës së energjisë elektrike është një detyrim ligjor./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit