Transmetuar më 15-11-2014, 09:41

Elbasan, 15 nëntor 2014, NOA.al- Elbasani ka qenë ndalesa e radhës e kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, për tu takuar me banorët, të cilët kanë denoncuar varfërinë dhe papunësinë.

Në takimet e zhvilluara me kryetarin e Partisë Demokratike, banorët e kanë njohur me gjendjen e vështirë ekonomike që po kalojnë.

Sipas banorëve, ata e kanë të vështirë të sigurojnë edhe bukën e gojës, ndërsa çdo ditë përballen me terrorin policor për faturat e energjisë elektrike të cilat në shumicën e rasteve janë abuzive. Ata shprehen se fëmijëve përveç se të mësojnë nën dritën e qirinjve, u duhet të përballojnë dhe terrorin policor.

“Më mirë të na vrasë, se sa kështu; më mirë poshtë tokës se sa sipër! Ilaçe nuk marrim dot. Kam 100 mijë lekë ilaçe, një vit që i kam marrë e nuk i kam larë. Ço 5 mijë lekë sot, 3 mijë lekë nesër. Kështu do jetojmë ne?!”, thotë një qytetar.

“Çfarë kërkon Edi Rama? I kemi njerëzit, në punë asnjë. Unë me një pension jam. 30 mijë lekë i dua ilaçe. Ku ti gjej unë?”, shprehet një tjetër.

Banorët shprehen se situatë e vështirë paraqitet edhe në zonat rurale, ku fermerët prodhues të duhanit thonë se çdo premtim që u është dhënë në fushatë ka rezultuar mashtrim dhe se që pas zgjedhjeve, askush nuk ua hap më dyert.

Sipas tyre asnjë ndihmë apo mbështetje nuk kanë parë nga shteti, ndërsa vazhdojnë të përballen me rritje taksash dhe çmimesh. Nga ana tjetër, studentët e universitetit “Aleksandër Xhuvani” shprehin shqetësimin për dyfishimin e tarifave dhe pamundësinë e prindërve për t’u paguar vijimin e studimeve.

Në fjalën e tij Basha u shpreh se, “Vende pune jo, rritje rrogash jo, rritje pensionesh jo. Këtej rrit çmimet dhe faturat"./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit