Transmetuar më 14-11-2014, 18:32

Associated Press ka realizuar një investigim mjaft interesant i cili hedh dritë mbi një nga temat më të debatuara në Formula 1, atë se si shpërndahen të ardhurat e cirkusit, duke dhënë detajet e shumave që kanë arkëtuar skuadrat pas sezonit 2013.

Formula 1, që çdo vit gjeneron mbi 1.4 miliardë dollarë në të ardhura, i ndan 820 milionë dollarë mes 11 skuadrave pas sezonit të 2013.

Më e pasura është Ferrari, skuadra italiane ka marrë 171 milionë dollarë, 72 milionë për vendin e tretë përfundimtar në kampionatin e konstruktorëve, dhe 99 milionë dollarë për sukseset në të kaluarën dhe vlerën historike të skuadrës.

Menjëherë pas kokëkuqes në klasifikimin e shpërndarjes së të ardhurave të Formula 1 qëndron Red Bulli që ka arkëtuar 162 milionë dollarë, 10 më pak se skuadra italiane, 72 milionë për titullin e fituar dhe një bonus prej 72 milionë dollarësh për katër kampionatet radhazi.

Në shkallën më të ulët të podit qëndron Mercedes, skuadër në arkat e së cilës kanë shkuar 80 milionë dollarë për vendin e dytë në Botërorin e konstruktorëve.

Më pas vijnë Mc Laren që ka arkëtuar 74 milionë dollarë, Lotus me 65 milionë dollarë falë vendit të 4 në botërorin e konstruktorëve ndërsa Force India, që u rendit e 6-ta mori 59 milionë dollarë.

Edhe Willaims përfitoi një arkëtim prej 56 milionë dollarësh, prej të cilëve 47 milionë për vendin e nëntë në klasifikimin e konstruktorëve dhe 9 milionë bonus për sukseset në të kaluarën.

Falë botërorit të konstruktorëve, Sauber që zuri vendin e 7 mori 53 milionë dollarë, ndërsa Toro Rosso mori 50 milionë për vendin e tetë, citon Supersport.

Klasifikimi i arkëtimeve mbyllet me Caterham që ka përfituar 40 milionë dollarë për faktin që hyri në dhjetëshen e parë të botërorit të konstruktorëve dy herë në 3 vitet e fundit, dhe në fund Marusia që mori 10 milionë dollarë për vendin e 10-të.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit