Transmetuar më 13-11-2014, 21:06

Shteti Islamik (ISIS) bëri të ditur sot se ka vendosur të emetojë paranë e vet, monedha në flori, argjend dhe bakër, që do të përdoren në territoret e kontrolluara prej saj, në Siri dhe në Irak.

Lajmi bëhet i ditur pak orë pasi sot, udhëheqësi i Shtetit Islamik (IS), Abu Bakr al-Baghdadi, tha se koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-të është duke dështuar, dhe se shpallja e ‘kalifatit’ nga Shteti Islamik, është zgjeruar në Arabinë Saudite, Jemen, Egjipt, Libi dhe Algjeri.

“Nëse Zoti e kërkon, do të prodhohen monedha të ndryshme në flori, argjend dhe bakër”, tha ISIS-i në një komunikatë të publikuar sot në forumet xhihadiste.

Kjo organizatë që kontrollon një territor po aq të madh sa Britania e Madhe, por që në pjesën më të madhe është shkretëtirë, shpjegon se objektivi është “ndryshimi i sistemit monetar tiranik që i është imponuar myslimanëve dhe që solli shtypjen e tyre”.

Në fotot e publikuara nga ISIS-i, paraqitet në njërën anë “Shteti Islamik” dhe në tjetrën “kalifati” si dhe pesha dhe vlera e monedhës. Simbole si xhamia e al Aqsa në Jerusalem shfaqen gjithashtu në monedha të ndryshme.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit