Transmetuar më 13-11-2014, 19:45

Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë (Njësia Task-Force), gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Besnik Çobaj, ish-drejtor në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (NJMLF), i akuzuar për veprën penale “shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Vendimi i gjykatës ende nuk është ekzekutuar, për faktin se nuk është gjetur personi i dyshuar dhe për këtë arsye, prokuroria e ka shpallur në kërkim dhe është deklaruar ikja e personit.

Masa e sigurisë në mungesë është vendosur disa ditë më parë. Pavarësisht se nuk është ekzekutuar dhe personi i dyshuar nuk duhet të ketë dijeni për këtë masë ndaj tij, avokati mbrojtës i tij e ka apeluar vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila ka vendosur arrest me burg.

Nëpërmjet këtyre veprimeve, konstatohet se shtetasi i dyshuar është në dijeni të masës ndaj tij dhe po i shmanget drejtësisë. Prokuroria ka nisur hetimin për këtë rast në muajin Nëntor 2013, pas një kallëzimi të Ministrisë së Financave, Drejtoria e Auditimit të Brendshëm.

Sipas kallëzimit, ish-drejtuesi i NJMLF nuk ka marrë masat për konfiskimin e automateve elektronike dhe pajisjeve të tjera të lojërave të fatit, të cilat janë konstatuar të paliçensuara nga kontrollet e kryera nga po ky institucion.

Në kuadër të veprimeve hetimore të Prokurorisë së Tiranë, ka rezultuar se, gjatë periudhës Janar-Shtator 2013, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ka ushtruar kontrolle në disa qytete, ku përmenden kryesisht Tirana, Shkodra dhe Kavaja.

Gjatë këtyre kontrolleve, sipas akteve të konstatimit të mbajtura nga Sektori i Mbikëqyrjes, rezulton se janë evidentuar në këto tre qytete rreth 140 automate elektronike të paregjistruara në mbi 70 subjekte të paliçensuara dhe të paregjistruara në organet përkatëse shtetërore.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se nga ana e ish-drejtuesit të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, të dyshuarit Besnik Çobaj, nuk është nxjerrë asnjë urdhër për ekzekutimin e konfiskimit të pajisjeve të paregjistruara dhe të paliçensuara sipas përmbajtjes së 177 akt konstatimeve, të mbajtura nga ana e inspektorëve të sektorit të mbikëqyrjes për periudhën janar – korrik 2013, në të cilat janë evidentuar pajisjet e paregjistruara, objekt konfiskimi.

Po kështu nuk ka asnjë raste ku dy sektorët, pjesë e Drejtorisë Operacionale, (Sektori i ushtrimit të Operacioneve të Mbikëqyrjes dhe Sektori i Zbatimit të Masave Shtrënguese) të kenë bashkëpunuar dhe bashkëvepruar, duke qenë se Sektori i Masave Shtrënguese nuk ushtron vetëm funksionin e ekzekutimit të masës shtrënguese, por njëkohësisht është në funksionin e mbikëqyrjes dhe të konstatimit të shkeljes, të cilin e ekzekuton ne vend.

Gjithashtu, në akt konstatimet e mbajtura nga Sektori i Mbikqyrjes është konstatuar se në asnjë rast të konstatimit të shkeljeve për ushtrim të paliçensuar, sipas të cilave janë evidentuar pajisje/automate që duhen konfiskuar, nuk rezulton të jetë kryer ekzekutimi i kësaj mase as nga ky sektor dhe as nga Sektori i Masave Shtrënguese.

Pra, me veprime dhe mosveprime, është lejuar lënia në qarkullim të pajisjeve të lojërave të fatit dhe ushtrimin e kësaj veprimtarie të kundraligjshme nga shumë subjekte të paliçensuar dhe të paregjistruara, duke mundësuar tjetërsimin e këtyre pajisjeve ose mbetjen në qarkullim për shkak se kanë mbetur të paidentifikueshme dhe nuk janë konfiskuar, sipas përcaktimeve ligjore. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit