

Djaloshi shqiptar Shkëlzen Dumani që ishte shpallur në kërkim nga autoritetet tona policore, ka humbur jetën gjatë luftimeve në Siri.
I ndjeri, me origjinë nga Peshkopia dhe banim në lagjen “Laprakë” të Tiranës, sipas të dhënave që vijnë nga familja e tij, ka humbur jetën dy ditë më parë.
Viktima ka lënë gruan e ve dhe dy fëmijë jetimë, 9 dhe 11 vjeç.
Kur ishte larguar për në Siri, Shkëlzen Dumani kishte marrë edhe dy fëmijët, por jo të shoqen.
Në atë kohë gruaja denoncoi në prokurori zhdukjen e fëmijëve. Policia turke e mbajti disa orë në aeroport në Stamboll. Për shkak të procedurave burokratike ai arriti të ikte, duke marrë fëmijët me vete.
Nëna e tij ra në kontakt me të, duke iu lutur të kthehej, por ai nuk iu bind. E detyruar në këto kushte, mamaja e Shkëlzenit shkoi në Siri, në përpjekje për të marrë nipin dhe mbesën, por edhe ajo u mbajt aty.
Tashmë drama e madhe u përket dy fëmijëve të familjes Dumani, të cilët janë pa baba në një kamp në Siri, dhe me gjyshen e tyre, për të cilën askush nuk di gjë më se si ia del.
Historia e familjes Dumani bëhet edhe me e trishtë pas vdekjes së Shkëlzenit. Gruaja e tij gjendet e vetme në Laprakë, kurse dy fëmijët e saj jetimë, me gjyshen e tyre në Siri.
Një rast i ngjashëm ishte dhe në Kosovë, kur një luftëtar mori fëmijën me vete, por Shërbimi Sekret i Kosovës arriti t’ia kthente fëmijën nënës.
Detajet si iku Dumani në Siri
Nga hetimet dhe dëshmitë e mbledhura mbi rastin, rezulton se Shkëlzen Dumani ka shitur shtëpinë në rrethana që dyshohet të kenë qenë manipulative. Ai i ka dhënë një letër të shoqes për ta firmosur, por ajo nuk e kishte ditur se po firmoste për shitjen e shtëpisë që ishte në emër të saj.
Pak ditë më vonë, ka qenë muaji qershor 2014, kur gruaja është ftuar për një fejesë dhe i shoqi e ka bindur të shkojë atje duke qëndruar dy net.
Por kur u kthye, i shoqi me dy fëmijët kishte ikur kurse në shtëpi po jetonte një familje tjetër.
E shoqja është tmerruar nga ajo që ka parë. Ka njoftuar familjen e saj dhe policinë. Po ashtu ka folur edhe me vjehrrën e saj. Ka arritur ta bindë që vjehrra të shkonte në Siri që të merrte fëmijët e saj. Por ky mision nuk ka përfunduar ashtu siç nisi sepse gjyshja ka mbetur në Siri me fëmijët dhe djalin e saj.
Ndërkohë, gruaja e Dumanit, jeton në Kamzë me prindërit e saj.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





