




Një biznesmen 48-vjeçar humbi jetën pasditen e sotme pasi u qëllua me armë zjarri në një atentat ndaj tij në lokalin që kishte në pronësi pranë bashkisë së qytetit të Durrësit.
Leonard Murataj, banor i qytetit bregdetar, gjendej në lokalin “Center”, kur në rrethana të papritura ndaj tij u hap zjarr me armë duke e lënë të plagosur rëndë. Murataj ka ndërruar jetë pak pas dërgimit në spitalin e qytetit, për shkak të p;lumbave fatalë që kishte marrë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19.00 në lokalin “Center” pronë e të ndjerit, pranë bashkisë në sheshin “Liria”, raporton noa.al.
Dy persona të maskuar janë afruar te porta e lokalit dhe kanë shënjestruar Leonard Muratajn duke e plagosur për vdekje me armë automatike, Kallashnikov. Menjëherë pas krimit ata janë larguar në drejtim të paditur. Mëngjesin e së mërkurës nga ana e uniformave blu në një lagje të Vorës u gjet makina, me të cilën dyshohet se janë larguar autorët e krimit, ndërsa po punohet për të gjetur gjurmë brenda mjetit.
Policia lokale tha se 48-vjeçarit i ishte bërë edhe më herët atentat, ndaj ka dyshime se krimi i sotëm është një atentat me motive hakmarrjeje.
Viktima njihej si person me precedent të mëparshëm penal. Ai ka qenë i akuzuar për pengmarrje dhe vrasje. Në vitin 2006 Murati u akuzua për pengmarrjen e shtetasit Artan Ilmiu si dhe për vrasjen e babait të Artanit, Nuhi Ilmiu, në vitin 1999.
Leonard Murataj u arrestua më 8 qershor 2006 në Durrës nën këto akuza por u lirua në vitin 2008 për mungesë provash dhe ndaj tij u vendos gjykim në gjendje të lirë.
Çfarë ndodhi në vitin 1999
Në vitin 1999, Artan Ilmiu u mor peng. Babai i pengut, Nuhi Ilmiu, shkoi të flasë me pengmarrësit e të birit për të bërë të mundur lirimin e tij por mbeti i vrarë.
Policia identifikoi Erald Bajramaj dhe Leonard Muratajn si bashkautorë të krimit dhe në vitin 2006 doli me një komunikatë ku njoftoi arrestimin e tyre. Bajramaj u lirua nga Gjykata e Larte për përfundim të afateve të hetimit, kurse Murataj u mbajt në qeli. Gjatë procesit te pandehurit nuk e pranuan asnjëherë akuzën e ngritur dhe pas përfundimit të afateve te paraburgimit edhe Murataj u lirua dy vjet pas prangosjes.
Komunikata policore e datës 9 qershor 2006
“U ndaluan shtetasit Leonard Xhemal Murati, 41 vjeç, i dënuar më parë për plagosje dhe Erald Selami Bajrami, 31 vjeç, banues në Durrës, sepse Prokuroria e Krimeve të Rënda me datë 08.06.2006, ka urdhëruar ndalimin për vrasje me dashje, rrëmbim personi dhe armëmbajtje pa leje”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





