



Tiranë, 13 nëntor 2014, NOA.al- Shteti i Kuvajtit i jep Shqipërisë 5 milionë euro për zhvillimin e projekteve të parashikuara nga qeveria.
Zëvendës Kryeministri i Shqipërisë, Niko Peleshi priti në një takim ambasadorin e Shtetit të Kuvajtit në në Shqipëri, Najeeb A. Al-Bader në ambientet e Kryeministrisë.
Gjatë takimit, ambasadori Al-Bader, i dorëzoi Zv. Kryeministrit Peleshi, kontributin e Shtetit të Kuvajtit me vlerë 5 milionë euro për të mbështetur skemën e Kryeministrit Edi Rama, në lidhje me një numër projektesh prioritare të qeverisë shqiptare, që synohet të zbatohen në mënyrë efektive.
Peleshi shprehu mirënjohjen ndaj Emirit të Shtetit të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, si dhe ndaj qeverisë dhe popullit Kuvajtian, për kontributin bujar në kuadër të reformave të qeverisë shqiptare, që vjen si mbështetje e vazhdueshme e Shtetit të Kuvajtit për popullin shqiptar.
Peleshi tha se kjo mbështetje pasqyron thellësinë dhe qëndrueshmërinë e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe historike dypalëshe, në fushat politike, ekonomike dhe kulturore.
Peleshi vuri në dukje përpjekjet e Shtetit të Kuvajtit në mbështetje të procesit të zhvillimit të Shqipërisë që prej vitit 1993, në veçanti nëpërmjet projekteve të ndërmarra nga Fondi i Kuvajtit për Zhvillim Ekonomik në infrastrukturën rrugore, transport, sistemin ujitës, me një vlerë totale prej 75 milionë dollarë.
Zëvendëskryeministri deklaroi se kontributi do të alokohet për pesë prioritete, duke i mundësuar qeverisë shqiptare të përballet me një sërë sfidash, duke shtuar se kjo e fundit do të lehtësojë zbatimin e reformave të nevojshme dhe të kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Në vijim, ai u shpreh se pret me interes të madh vizitën zyrtare të Kryeministrit Edi Rama në Kuvajt, më 18 nëntor, e cila do të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe do të shërbejë për të diskutuar të gjitha çështjet me interes të përbashkët.
Nga ana e tij ambasadori i Kuvajtit në Tiranë, Najeeb Al Bader shprehu kënaqësinë e tij për nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet dy vendeve. Al Bader theksoi se vendimi i Shtetit të Kuvajtit për financimin e këtij projekti të rëndësishëm vjen në kuadër të mbështetjes që Kuvajti i jep angazhimit të Qeverisë Shqiptare për të forcuar sundimin e ligjit, demokracisë, ndërrmarrjen e reformave gjyqësore dhe ekonomike të domosdoshme, luftën kundër krimit të organizuar, si dhe reforma të tjera që kontribuojnë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Ambasadori Al Bader vlerësoi rëndësinë e këtij projekti dhe shprehu bindjen se ky projekt i qeverisë dhqiptare do të kontribuojë në përballjen me një numër sfidash./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





