Transmetuar më 13-11-2014, 10:13

Detaje të reja vijnë nga grupi hetimor në Dibër, për planifikimin e vrasjes së një djaloshi 20 vjeçar në Bulqizë, nga një bashkëfshatar i tij i cili pajtoi dy persona nga Fushë Kruja, për “ta hequr qafe”.

Porositësi i vrasjes është Mirdash Osmani, 44 vjeç banues në fshatin Gjoricë të rrethit Bulqizë, raporton noa.al duke cituar burime të policisë lokale.

Personi i piketuar prej tij për t’u vrarë është Fation A., 20 vjeç nga i njëjti vendbanim.

Dy personat që u pajtuan për të kryer vrasjen janë Leonard Xhixha, 24 vjeç, banues në Fushë-Krujë, Bujar Leza, 38 vjeç, banues në Fushë-Krujë. Këta të dy janë ndaluar dje nga policia e Dibrës.

Gjithashtu është ndaluar edhe V. C., 21 vjeç, me banim në fshatin Gjoricë të Rrethit Bulqizë. Ai akuzohet se ka ndihmuar në planifikimin e vrasjes që ishte porositur për motive hakmarrjeje.

Ndërkohë është bërë edhe shpallja në kërkim e Mirdash Osmanit i cili është larguar nga Shqipëria dhe dyshohet se jeton aktualisht në Austri.

Ndalimi i këtyre personave dhe shpallja në kërkim e Osmanit, i cili rezulton me precedentë penalë, është bërë për veprën penale ‘vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë’, pasi rreth orës 22:00 të së hënës, në fshatin Gjoricë, kanë tentuar të vrasin Fatjon A, me banim në të njëjtin fshat, deklaroi zyrtarisht policia.

Pse u porosit vrasja

Burime nga policia e Dibrës thanë se vrasja ishte planifikuar të ndodhte mbrëmjen e së hënës në fshatin Gjoricë. Por policia ka mundur të kapë në kohë tre të dyshuarit dhe të marrë në mbrojtje objektivin e atentatit, i cili nga hetimi paraprak dyshohet se do të vritej për hakmarrje.

Nga hetimet e kryera nga policia, dyshohet se Leonard Xhixha dhe Bujar Leza, me banim në Fushë-Krujë, të ndihmuar edhe nga banori i fshatit Gjoricë, personi me iniciale V. C., ishin porositur nga shtetasi Mirdash Osmani, banor i fshatit Gjoricë, i cili është shpallur në kërkim nga policia, për të vrarë 20-vjeçarin Fatjon A.

Ata po përgatiteshin për të kryer këtë vrasje, kur janë pikasur nga policia dhe më pas janë arrestuar në flagrancë. Policia tha se nga ndërhyrja në kohë e strukturave antiterror dhe të krimeve të rënda për parandalimin e vrasjes dhe kapjen e autorëve u bë e mundur mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative.

Mirdash Osmani e kishte porositur këtë vrasje, por ende nuk dihet nëse kishte paguar për të. Arsyeja ishte për motive hakmarrjeje, pasi dyshohet që objektivi i atentatit, Fationi 20-vjeçar e kishte plagosur disa muaj më parë.

Mirdash Osmani njihet nga policia e Bulqizës prej kohësh, pasi dy vite më parë është arrestuar për një plagosje, gjatë të cilës ka mbetur i plagosur edhe vetë. Policia nuk dha sqarime nëse ky atentat kishte lidhje me ngjarjen e vitit 2012 për shkak të sekretit hetimor.

Më 28 gusht 2012, plagosja e dy personave ka ndodhur gjatë një sherri banal në një nga lokalet e Shupenzës, fshat i komunës me të njëjtin emër, pak minuta larg komunës Gjoricë.

Në atë kohë, policia tha se Fatmir Dema, 40 vjeç nga fshati Homesh, gjatë një sherri është plagosur me thikë nga Mirdash Osmani. Por, edhe Mirdash Osmani që plagosi me thikë Fatmir Demën, ka mbetur i plagosur me armë zjarri gjatë këtij sherri.

I plagosuri me thikë Fatmir Dema, është dërguar në spitalin lokal, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas është dërguar për në Spitalin Ushtarak Tiranë për të marrë një ndihmë mjekësore më të kualifikuar.

Tashmë, policia pritet të kryejë arrestimin e Osmanit për të zbardhur detaje të mëtejshme të këtij krimi. Ndërkaq, është marrë në pyetje edhe objektivi i atentatit, i cili ka dhënë versionin e tij për këtë ngjarje të parandaluar nga forcat policore, por nuk jepen hollësi mbi këtë dëshmi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit