Transmetuar më 12-11-2014, 19:26

Policia dhe prokuroria në Kurbin dhe Fushë Krujë, janë duke hetuar mbi disa incidente të ndodhura orët e fundit në këto zona si dhe të tjera gjatë ditëve të kaluara.

Organet e policisë dhe prokurorisë në Laç (rrethi Kurbin), janë duke hetuar lidhur me shpërthimin mbrëmë të lëndës plasëse në një banesë në këtë qytet.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Shëmrisë, mbrëmjen e djeshme në banesën e shtetasit S.Xh., raporton NOA.al. Mësohet se lënda plasëse është hedhur në oborrin e shtëpisë. Nga ky incident nuk ka pasur të lënduar.

Pronari i shtëpisë, S.Xh., i tha sot policisë se nuk ka patur konflikte me asnjë njeri që të dyshojë se mund t’i bënin atentat banesë ku jeton me familjen e tij.

Hetime edhe për Fushë Krujën, është kthyer në “djepin” e tritolit

Para tre ditësh u hodh në erë me tritol një lokal në qendër të qytetit të Fushë-Krujës. Shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur në lokalin në pronësi të shtetasit V.Z dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale. Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale, ndërsa nuk dihen ende shkaqet e ngjarjes.

Shpërthimi i tritolit ka krijuar frikë dhe panik tek qytetarët që janë zgjuar të tmerruar.

Fushë-Kruja është kthyer në epiqendrën e shpërthimeve me tritol, ku brenda këtij viti janë regjistruar 12 raste, 3 prej të cilave brenda Komisariatit të Policisë.

Në asnjë rast, policia nuk ka arritur të zbulojë autorët e këtyre krimeve të rënda dhe si pasojë, shpërthimet nuk ndalen.

Shpërthimet me tritol janë kthyer në një shqetësim serioz për biznesmenët në të gjithë vendin. Para një jave në qendër të sulmit me tritol, ka qenë një depo farmaceutike në Tiranë. Depoja farmaceutike që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës është hedhur në erë me tritol nga persona të panjohur për policinë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit