

Tiranë, 12 nëntor 2014, NOA.al- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Aleksandër Arvizu e cilësoi si shumë të rëndësishme vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Serbi.
Ai u shpreh se vizita ishte e rëndësishme dhe se qeveria e Shqipërisë dhe ajo Serbe duhet të adresojnë pikat e tyre specifike.
“Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo ishte një vizitë e rëndësishme historike. Një periudhë 68 vjeçare është tejet e gjatë në mënyrë që liderët e dy vendeve fqinje të takohen, duke shpresuar se të dyja vendet do mund të ndërtojnë me këtë vizitë bashkëpunim të mëtejshëm. Ka qenë inkurajues fakti që pas incidentit në ndeshjen e futbollit caktimi i një date tjetër për takimin. Ishte diçka shumë e rëndësishme, ashtu sikurse nënshkrimi i marrëveshjes për të rinjtë”, u shpreh Arvizu.
Ai deklaroi se shpresohet që dy vendet të punojnë me njëra tjetrën, në mënyrë që edhe Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç të vizitojë Shqipërinë në vitin 2015, duke thënë se kjo do të ishte diçka shumë e rëndësishme për të dyja vendet por edhe për rajonin.
Deklarata e ambasadorit Arvizu, u bë në përfundim të një takimi me Avokatin e Popullit, Igli Totozani./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





